PSE NUK JEMI SHTET! Fakte për Kosovën dhe PA'VARËSINË!

Misioni i Administratës së Përkohshme të Kombeve të Bashkuara në Kosovë ose UNMIK-u është mision i mandatuar zyrtarisht nga Këshilli i Sigurimit, i cili ka për qëllim për të...
Misioni i Administratës së Përkohshme të Kombeve të Bashkuara në Kosovë ose UNMIK-u është mision i mandatuar zyrtarisht nga Këshilli i Sigurimit, i cili ka për qëllim për të arritur një objektiv të përgjithshëm, “me qëllim të sigurimit të kushteve për një jetë paqësore dhe normale për të gjithë banorët e Kosovës dhe paraprakisht stabilitetin rajonal në Ballkanin Perëndimor”.
Për të kuptuar vendimin e Këshillit të Sigurimit për të ndërhyrë dhe zgjedhjen e saj të ndërhyrjes, disa faktorë duhet të merren parasysh. Këto përfshijnë gjendjen politike të Kosovës, në nivel kombëtar dhe rajonal: eventualitetin e një zgjerimi të konfliktit në vendet fqinje që kanë minoritetet substanciale shqiptare, dhe mungesën e një “pëlhure të pavarur administrative” që mendohej se duhej  krijuar nga prania civile ndërkombëtare pas mbërritjes në terren, një rrethanë që e la Këshillin e Sigurimit me asnjë opsion, por për të ndërmarrë detyrën e  rindërtimit administrativ dhe institucional të Kosovës.
Harta e Jugosllavisë

Harta e Jugosllavisë

Nga Vedat Xhymshiti, për THE Frontliner

©t'drejtatNë qershor të vitit 1999 Këshilli i Sigurimit ngarkoi misionin e OKB-së me administrimin e drejtpërdrejtë dhe të plotë të territorit në bazë të rezolutës 1244 të miratuar më 10 Qershor 1999, duke pezulluar kështu përkohësisht të drejtën e sovranitetit dhe atributet e shtetit në krahinën e Kosovës ndaj Republikës Federale të Jugosllavisë, dhe në fakt krijimin e një protektorati ndërkombëtar.

Situata politike, ligjore dhe historike e Kosovës në kuadër të Serbisë qëndron në thelbin e problemit, ngase miratimi i Kushtetutës Federative të vitit 1974 ka shkaktuar një hap të madh drejt decentralizimit të krahinave, duke iu dhënë kompetenca të republikave përbërëse të ngjashme me ato për njësitë territoriale brenda një konfederate, ndonëse krahina e Kosovës, kishte mbetur pjesë e Republikës së Serbisë, duke gëzuar të drejta të gjera autonome.

Me qëllim të mirëmbajtjes së balancit politiko-juridik midis republikave, politika qeverisëse e Titos, kishte qëllim të frenonte lëvizjet nacionaliste të cilat kishin vërshuar rajonin pak para rënies së ish-perandorive. Një objektiv i veçantë ishte për të konfirmuar epërsinë e Serbisë, e cila ishte republika më e populluar dhe në atë kohë kishte më shumë kontroll në radhët oficerëve të Ushtrisë Federative (ose siq njihej atëhere: Armatës Popullore të Jugosllavisë).

Kushtetuta Federative e vitit 1974 ishte projektuar për të zbutur pakënaqësitë dhe për të përforcuar kompetencat e grupeve nacionale të republikave. Kushtetuta gjithashtu kërkoi për të kënaqur pretendimet e krahinave autonome të Kosovës dhe Vojvodinës, por si pjesë të Serbisë, duke iu dhënë atyre një vend në Këshillin e Presidencës, një asamble, një forcë policore dhe një sistem bankar të tyre, por këto gjithmonë do të ishin nën kontrollin e ‘hekurt’ të Kuvendit Krahinor. Me këtë rast krahinat autonome socialiste kishin fituar një status të ngjashëm me atë të republikave, duke ruajtur emrin dhe të drejtën e ndarjes.

Menjëherë pas vdekjes së Titos, uniteti i Jugosllavisë filloi të rrëzohet. Pas Kushtetutës Federative të vitit 1974, territori i Republikës Socialiste Federative të Jugosllavisë ishte organizuar në gjashtë republika (Slloveni, Bosnje-Hercegovina, Kroacia, Mali i Zi, Maqedonia dhe Serbia) si dhe dy krahina autonome brenda Republikës së Serbisë, (e Kosovës dhe Vojvodinës), statusi politik i të cilave ishte i njëjtë me republikat, përfshirë edhe pjesëmarrjen në institucionet federative, duke përjashtuar të drejtën e ndarjes, e drejtë kjo ekskluzive vetëm për republikat.

Në verën e vitit 1991, Sllovenia lëshoi ​​një deklarim të njëanshëm të pavarësisë. Në tetor, 1991 Sllovenia ratifikoi statusin e saj të pavarur (për dallim nga Kosova që nuk e ka ratifikuar ende deklaratën e saj të 17 shkurtit 2008), të njohur zyrtarisht nga BE dhe vende të tjera në janar 1992, pa ndonjë konfrontim të madh.

Ishte Dejtoni, vendi ku u shkrua një hartë e re e Ballkanit, me një Republikë të re Federale të Jugosllavisë, e cila përbënte vetëm republikat e Serbisë dhe Malit të Zi, duke trashëguar kështu (Serbia dhe Mali i Zi) të gjitha të drejtat dhe detyrimet ndërkombëtare të RFJ-së.

Një hartë e cila argumenton se Kosova është brenda territorit të Serbisë.

Një hartë e cila argumenton se Kosova është brenda territorit të Serbisë.

Çështja e Kosovës nuk ishte trajtuar në Dejton në vitin 1995 duke provokuar kërkesat për të krijuar një forcë të OKB-së në territorin që kishte kaluar pa u vënë re. Një grup i armatosur i cili pretendonte legalizimin politik të një kryengritje seperatiste, Ushtria Çlirimtare e Kosovës (UÇK), filloi aktivitetin më 22 prill të vitit 1996, duke shënuar fillimin e kryengritjes kundër Qeverisë së Serbisë, duke nisur sulme të njëkohshme kundër objektivave zyrtare në katër caçe të ndryshme të Kosovës, thotë një raport i OKB-së (UNDOC SK/1999/648)

UÇK-ja kishte miratuar një ‘strategji veprim-reagimi” e projektuar për të tërhequr vëmendjen ndërkombëtare, me shpresën për të përfituar simpati në rritje për gjendjen e vështirë të shqiptarëve të Kosovës dhe sigurimin e mbështetjes ndërkombëtare, ndërkohë kishte marrë një përgjigje gjithnjë në rritje dhe disproporcionale nga ana e forcave policore dhe ushtarake serbe. Qëndrimi i ndërkombëtarëve vis-à-vi UÇK-së ka qenë shumë i paqartë, derisa disa faktorë ndërkombëtar e kanë kualifikuar atë si një lëvizje çlirimtare kombëtare, shumë të tjerë kishin rezerva të forta në atë që perceptohej si një organizatë terroriste. Rezoluta 1160 (1998), Këshilli i Sigurimit, ndër të tjera, dënoi “të gjitha aktet e terrorizmit nga ana e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”.

Pavarësisht nga kjo, UÇK-ja nuk ishte përballur me embargo financiare apo atë të armëve të cilat do të mund të shkaktonin kufizimin operativ të UÇK-së. Përkundrazi, thuhet se UÇK-ja është financuar mirë dhe është mbështetur nga jashtë, kryesisht nga Shtetet e Bashkuara (SHBA), sipas një raporti të NATO-s i vitit 2000.

Kriza institucionale në Shqipëri krijoi një situatë të lehtë operative për furnizim me sasi të mëdha të materialeve të luftës nga ushtria shqiptare, të cilat do të shpërndaheshin për UÇK-në në vitin 1997, tregon një raport në shtypin amerikan ‘The New York Times’. Shqiptarët nga Kosova u dëbuan në Mal të Zi, Shqipëri dhe Maqedoni, duke paraqitur një sfidë për unitetin edhe ashtu të brishtë të kësaj të fundit, ku një pakicë e madhe shqiptare ka qenë gjithnjë e më e zëshme, ky zhvillim do të shkaktonte kështu një luftë civile, e cila do të mund të çonte në pretendime territoriale të vendeve fqinje dhe në destabilizimin në të gjithë rajonin, siç edhe ndodhi realisht pas disa vitesh. Ndërkohë, Millosheviqi ishte bërë president i Republikës së re Federative të Jugosllavisë në vitin 1997.

Konfliktet e fshehta në zonat e banuara shqiptare në Republikën Federative të Jugosllavisë, ishin pasojat e lidhura direkt ose indirekt ndaj gjendjes së vështirë të shqiptarëve të Kosovës, duke përfshirë këtu edhe konfliktin e vitit 2000-2001 në juglindje të Serbisë apo konfliktit të armatosur të vitit 2001 në Maqedoni.

Vlen të përmendet se Sllovenia kishte kryesuar Këshillin e Sigurimit në 1999 në kohën e miratimit të rezolutës 1244 (1999), e gjithëashtu kishte kryesuar Këshillin Evropian gjatë gjashtëmujorit të parë të vitit 2008, kur politikanët shqiptarë të Kosovës, kishin deklaruar themelimin e shtetit të Kosovës më 17 Shkurt 2008, jashtë protokollit institucional, i cili protokoll është nën të drejtën ekskluzive të misionit të OKB-së, i ngarkuar nga Këshilli i Sigurimit.

Misioni i OKB-së, UNMIK-u operon në Kosovë, brenda mandatit të Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit e cila u miratua më 10 qershor 1999, me qëllim të zbatimit të saj në terren. Kjo rezolutë erdhi në shprehje një ditë pasi që Organizata e Traktatit të Atlantikut të Veriut (NATO) kishte arritur nënshkrimin e Marrëveshjes Tekniko-Ushtarake me shtatmadhorinë e trupave ushtarake të Jugosllavisë në Kumanovë, zonë veriore e ish-Republikës Jugosllave të Maqedonisë, e cila marrëveshje kishte për qëllim një marrëveshje armë-pushimi mes forcave Serbe të Jugosllavisë dhe NATO-s. Serbët kishin pranuar nënshkrimin e kësaj marrëveshje, pasi që Organizata e Traktatit të Atlantikut Verior (NATO) kishte siguruar forcat serbe se do të niste menjëhere zbatimin e operacionit të sigurisë për të demilitarizuar forcën e armatosur shqiptare të Kosovës, UÇK-në.

Rezolutat e Këshillit të Sigurimit 1160 dhe ajo 1199, si dhe marrëveshja e Rambujesë kishin kërkuar ndalimin e veprimeve terroriste nga kryengritësit shqiptar që po luftonin nën ombrellën e formacionit ushtarak të quajtur Ushtria Çlirimtare e Kosovës (UÇK) kundër forcave serbe të rendit në Jugosllavi.

16/02/2013 - Gjilan (Foto: Vedat Xhymshiti, për Corbis Images)

16/02/2013 – Gjilan (Foto: Vedat Xhymshiti, për Corbis Images)

Rezoluta 1244 (10.06.1999), është rrjedhojë e Rezolutës 1160 (31.03.1998), Rezolutës 1199 (23.09.1998), Rezolutës 1203 (24.10.1998), Rezolutës 1239 (14.05.1999), marrëveshjes së Rambujesë (18.03.1999), si dhe asaj tekniko-ushtarake e njohur si ‘Marrëveshja e Kumanovës’, me ç’rast OKB-ja vendosi të zbarkoj në Kosovë, për t’a instaluar administratën e saj politiko-juridike e cila do të karakterizohej me një rol ekzekutiv në vend.

Ky dokument kishte autorizuar një prani ndërkombëtare civile dhe ushtarake dhe kishte themeluar Misionin e Administratës së Përkohshme të Kombeve të Bashkuara në Kosovë (UNMIK). Kjo situatë pasoi me marrëveshjen nga presidenti Millosheviq i RFJ-së për kushtet e propozuara nga Presidenti Ahtisari  dhe diplomati rus Çernomyrdin (këto kushte ishin përfshirë në Pakon e Ahtisaarit, të ratifikuar në Parlamentin e Kosovës gjatë vitit 2008 dhe në vazhdim, përfshirë kushtet e diplomatit rus Çernomyrdin, konkluzioni i të cilave është autonomia e zgjeruar e Kosovës brenda njësisë territoriale të Serbisë. Ref: The Kosovo Report: Conflict, International Response, Lessons Learned Independent International Commission on Kosovo •Oxford University) ku në marrëveshjen e 8 qershorit 1999, e cila kishte hyrë në fuqi më 10 qershor ’99 nga Këshilli i Sigurimit ishte përfshirë tërheqja e forcave serbe nga Kosova (Aneksi II të Rezolutës 1244), ku mes tjerash Aneksi II pika 5 thotë:

5 Vendosja e një administrate të përkohëshme për Kosovën, si pjesë e pranisë civile ndërkombëtare, nën të cilën populli i Kosovës do të gëzojë një autonomi substanciale brenda RFJ-së (suksesor i së cilës do të jenë Republikat Federative të Serbisë dhe Malit të Zi), e cila do të vendoset nga KS i KB-së. Administrata e përkohëshme do të ofrojë një administrim kalimtar, duke vendosur dhe vlerësuar një zhvillim të institucioneve të përkohshme, demokratike dhe vetëqeverisëse, për të siguruar kushtet për një jetë paqësore dhe normale për të gjithë banorët e Kosovës.

Ndërkohë që pika 6 nga Aneksi II– i Rezolutës 1244 parasheh se pas tërheqjes, së forcave Jugosllave, një numër i konsiderueshëm i personelit politik dhe policor serb do të lejohet të kthehet në Kosovë, për të kryer funksionet e mëposhtme:

  • kontaktin me misionin ndërkombëtar civil dhe me praninë ndërkombëtare të sigurisë;
  • shenjimin dhe pastrimin e fushave të minuara;
  • mbajtjen e një pranie (çfarë pranie? të forcave të KFOR-it? Prani civile te sigurise, por me poshte eshte e saktesuar se ky nen nuk e sakteson qellimisht, une po e shkruaj citation e nenit.) në trashëgiminë serbe;

Poashtu, pika 6 parasheh edhe mbajtjen e një pranie të përbashkët të forcave serbe në vendkalimet kufitare kryesore; pika 7 Ankesi II parasheh kthim të sigurt dhe të lirë për të gjithë refugjatët dhe të zhvendosurit nën mbikqyrjen e zyrës së UNHCR-së, dhe çasje të papenguar për të gjitha organizata humanitare në Kosovë.

Përgjegjësitë e pranisë ndërkombëtare të sigurisë përfshinin parandalimin dhe eleminimin e armiqësive të reja permes një procesi të monitorimit të tërheqjes së Republikës Federative të Jugosllavisë dhe demilitarizimit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe grupeve të tjera të armatosura shqiptare, me qëllim të sigurimit të një mjedisi të sigurt për të gjithë, në të cilin refugjatët të mund të ktheheshin.

Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Kofi Anan ishte i autorizuar që të themelojë një prani ndërkombëtare civile në Kosovë për të siguruar një administrim të përkohshëm, ku populli i Kosovës do të mund të gëzojë autonominë brenda kufirit territorial të Serbisë, për çfarë lidershipi politik i Kosovës kishin shprehur pajtueshmërinë e tyre edhe në rezolutat 1160 dhe 1199 të OKB-së, me qëllim të një zgjidhjeje përfundimtare për Kosovën, dhe të mbikëqyrë zhvillimin e institucioneve demokratike vetëqeverisëse, duke i mbështetur edhe në organizimin e zgjedhjeve të drejta dhe demokratike në vend.

Mes tjerash, Rezoluta 1244 e Këshillit të sigurimit autorizon Kombet e Bashkuara për të lehtësuar një proces politik për përcaktimin e statusit të ardhshëm të Kosovës. Statusi i ardhshëm i Kosovës do të marrë parasysh marrëveshjen e Rambujesë, të cilën Serbia nuk kishte pranuar për të nënshkruar në vitin 1998 dhe bën thirrje që “vullneti i popullit të Kosovës” (pa përcaktuar etninë) të jetë një nga parimet udhëheqëse në përcaktimin e statusit të Kosovës. Rezoluta riafirmon thirrjen për “autonomi substanciale dhe administratë kuptimplote për Kosovën” që nënkuptonte sistem të pavarur bankar, administratë të pavarur publike (qeveri, parlament, presidencë dhe gjyqësi) organizatë policore për ruajtjen e rendit publik brenda kufirit administrativ të Kosovës, si dhe lejon kthimin e një numri të konsiderueshëm të personelit serb të sigurisë, për të mbajtur një prani pranë objekteve të trashëgimisë serbe, vendbanimeve serbe dhe vendkalimet kryesore kufitare. Çfar edhe ka ndodhur deri më tani.

Rezoluta 1244 Riafirmon angazhimin e shteteve anëtare të OKB-së për sovranitetin dhe integritetin territorial të Republikës Federale të Jugosllavisë (suksesor i së cilës është Serbia) dhe shteteve të tjera të rajonit, siç përcaktohet në Aktin Final të Helsinkit dhe aneksin II të Rezolutës 1244 (një aneks që parashikon, ndër të tjera, një proces të statusit të Kosovës);

Neni 1 i Aktit Final të Helsinkit i kushton një vemendje të veçantë sovranitetit dhe integritetit territorial të shteteve ekzistuese. Në një mënyrë të ngjashme, nenet e referencave për autonomi në 1244 tregojnë një dëshirë nga ana e shteteve anëtare të OKB-së në atë kohë (1998-99) për të kthyer Kosovën në një status autonom të para 1990-ës, nëse kjo do të ishte e mundur. Gjë që ka ndodhur, ngase atëhere siç e kam cekur edhe më lartë kemi pasur të gjitha kopetencat çfar i kemi sot.

FAKTE

Më 17 shkurt 2008 përfaqësues të 40.10% të popullit (sipas statistikës së zgjedhjeve parlamentare të 17 Nëntorit 2007) të Kosovës, duke vepruar jashtë Kornizës Kushtetuese dhe Institucioneve të Përkohshme Vetë-Qeverisëse, duke mos e përfaqësuar (me protokoll) Kuvendin e Kosovës apo ndonjë tjetër prej këtyre institucioneve të cilat janë aty në pajtim të plotë me rezolutën 1244, lëshuan ​​një deklaratë të pavarësisë për themelimin e Republikës së Kosovës. Deklaratë kjo, e cila nuk u ratifikua asnjëhere në parlament, pikërisht për shkak që do të ishte në kundërshtim me ligjet ndërkombëtare nëse ratifikimi i saj do të ndodhte, për dikçka që duket se politika shqiptare e Prishtinës nuk ka pasur guxim të hapëroj drejt ratifikimit. Për pasojë, më 22 korrik 2010, Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë vendosi që shpallja e pavarësisë së 17 shkurtit 2008 nuk shkeli të drejtën ndërkombëtare dhe rezolutën 1244, duke qenë se deklarata e shpalljes nuk ishte protokolluar nga mekanizmat zyrtar të IPVQ-së, precizojnë paragrafet 102 dhe 109 të aktvendimit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë.

©ICJ

©ICJ

Paragrafi 121 precizon “Gjykata është shprehur tashmë, (megjithatë, shih paragrafët 102 dhe 109), që shpallja e pavarësisë së 17 shkurtit 2008 nuk është lëshuar nga institucionet e përkohshme të vetëqeverisjes, as nuk ishte një akt që synon të hyjë në fuqi, ose që synon të marrë efekt brenda kuadrit ligjor, në të cilin ata; Institucionet e Përkohshme të Kosovës janë duke operuar. Autorët e shpalljes së pavarësisë nuk janë të lidhur me kuadrin e kompetencave dhe përgjegjësive të përcaktuara për të udhëhequr ushtrimin e institucioneve të përkohshme të vetëqeverisjes. Autorët e shpalljes, nuk e kanë shpallur deklaratën brenda procedurave protokollare të kuadrit ligjor. Prandaj, Gjykata konstaton se shpallja e pavarësisë nuk e ka shkelur Kornizën Kushtetuese dhe rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së”. (Paragrafi 102 dhe 109 | Faqe 102 i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, flet për identitetin politik të autorëve të shpalljes së pavarësisë),

Në një komunikim elektronik me kryeparlamentarin zt. Jakup Krasniqin, në pyetjen time nëse është ratifikuar ose protokolluar deklarata e pavarësisë e 17 Shkurtit, 2008 në Prishtinë, ai thotë: “deklarata është nënshkruar nga të gjithë deputetët dhe iu është dërguar të gjitha shteteve dhe ambasadave në Kosovë”. Duke më rekomanduar se zyra administrative e Kuvendit të Kosovës është përgjegjëse për të më informuar lidhur me kuriozitetin tim, nëse deklarata është protokolluar dhe ratifikuar në parlament ose jo. Natyrisht, për dikend pa njohuri do të ishte e çuditshme një përgjigje e tillë, por për mua, është e kjartë, që deklarata nuk është ratifikuar, e tëra kjo ka qenë një mashtrim që politika i ka bërë qytetarëve të vendit, e këtë mashtrim e konfirmon edhe vendimi i gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë.

Rezoluta 1244 u miratua me 14 vota për, asnjë kundër. Kina kishte abstenuar pavarësisht se ishte shumë kritike ndaj ofensivës së NATO-s, veçanërisht pas bombardimit të ambasadës së saj në Beograd. Kina ka argumentuar se konflikti duhet të zgjidhet nga Qeveria e R.F. të -Jugosllavisë dhe popullit të saj dhe ishte kundër ndërhyrjes së huaj. Megjithatë, duke pasur parasyshë se Republika Federative e Jugosllavisë kishte pranuar propozimin në parim (duke mos e nënshkruar atë), Kina kishte vendosur për të mos vënë veton kundër rezolutës.

Dy vite pasi institucionet e përkohshme vetëqeverisëse në Prishtinë kishin shpallur pavarësinë e administratës qeverisëse (17 Shkurt 2008 – duke përjashtuar integritetin territorial) disa vende kanë thënë se Rezoluta 1244 është ende e detyrueshme. Në vitin 2013, një artikull në revistën “The Economist” i quajti ato thirrje si “të tepërta”, dhe deklaroi se referencat janë përdorur për të ruajtur pamjen e jashtme për Serbinë, por realiteti në terrenin territorial dhe atë politik është ndryshe, diçka që mund të dokumentohet permes vendimit të gjykatës ndërkombëtare të drejtësisë dhe rezolutës 1244 në fuqi, e cila (rezolutë) edhe 14 vjet pas përfundimit të konfliktit të armatosur mes dy palëve të përfshira në të, ka dështuar të ushtrojë mandatin e saj të plotë në gjithë vijën administrative të Kosovës.

Më 1 nëntor të vitit 2000, Republika Federative e Jugosllavisë u pranua si anëtare e Kombeve të Bashkuara permes një rezolute të Asamblesë së Përgjithshme A/RES/55/12. Më 4 shkurt 2003, pas miratimit dhe shpalljes së Kartës Kushtetuese nga ana e Kuvendit të Republikës Federative të Jugosllavisë, u ndryshua në Unioni Serbi dhe Mali Zi. Ndërsa, në një letër të datës 3 qershor 2006, Presidenti i Republikës së Serbisë kishte informuar Sekretarin e Përgjithshëm se anëtarësimi i Unionit Serbi-Mali i Zi në OKB do të vazhdohej nga Republika e Serbisë, pas shpalljes së pavarësisë së Malit të Zi nga Unioni me Serbinë.

Gjithsesi, në bazë të shpalosjes së këtyre fakteve, duket qartë se politikanët shqiptarë të Kosovës, më 17 Shkurt 2008 vizualisht kanë aktruar një spektakël televiziv, ndërsa përmbajtësisht kanë krijuar aktivitet për shpenzime financiare, duke zhvilluar një aktivitet jashtë protokollit institucional, i cili është e drejtë ekskluzive e Këshillit të Sigurimit, e që ky i fundit ka mandatuar OKB-në për zbatimin e rezolutës 1244, në bazë të të cilit dokument edhe janë duke u zhvilluar negociatat Prishtinë-Beograd në Bruksel të kryesuara nga BE-ja, me qëllim që siç është quajtur ‘Normalizimit të Marëdhënieve’ të të dy palëve në negociata, palës autonome në Prishtinë dhe asaj shtetërore në Beograd. Rezoluta 1244 parasheh kthimin e operativëve politiko-juridik dhe të sigurisë të shtetit serb, ku jeton pakica serbe në njësinë administrative të Kosovës, si dhe kthimin e policisë serbe në pikat kyçe kufitare, diçka që tashmë është duke u zbatuar permes projektit të emëruar si ‘Menaxhimi i Integruar i Kufijve’. Ndërkohë që operimi politik i serbisë brenda kufijve administrativ të Kosovës me marrëveshjen për daljen në zgjedhje të pakicës serbe, e të cilët u deklaruan se nuk do t’a njohin deklaratën e pavarësisë së Kosovës, të shpallur më 17 shkurt 2008 është obligim ligjor që del nga Rezoluta 1244 e Këshillit të Sigurimit të OKB-së.

Vedat_Xhymshiti_OP-EDPërvoja pesë vjeçare e gazetarit të pavarur Vedat Xhymshiti në rajonin e Lindjes së Mesme, Afrikës, Kaukazit, Evropës Juglindore dhe Ballkanit, i dha atij mundësinë të njihet për së afërmi me zhvillimet shoqërore politike dhe prapaskenat ndikuese të industrisë korporative në fushën e hartimit të politikës afatgjate. Përpjekjet e tij profesionale për gazetari të pavarur janë të dokumentuara në ditarin e tij www.vedatxhymshiti.wordpress.com

Vedat Xhymshiti; është gazetar, redaktor dhe fotograf i pavarur. Ai është fokusuar në çështjet e politikës së brendshme të Kosovës, Politikës së Jashtme të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Federatës Ruse, Bashkimit Evropian dhe Lindjes së Mesme. Xhymshiti është fokusuar edhe në çështjet e politikës së racës, gjinisë, identitetit, migrimit si dhe shpërnguljes së njerëzve për shkak të ndryshimeve klimatike dhe konflikteve të armatosura. Ai është publikuar në media të ndryshme duke përfshirë Der Spiegel, NY Times, TIME, Paris Match, Le Monde etj. Xhymshiti është gjithashtu kritik i medias së shkruar dhe themelues i THE Frontliner.

është krim të largohesh nga polemika. ...

Ndërlidhje e artikujve të ngjashëm. ...