Këtë vit Kosova ka festuar përvjetorin e saj të pesëmbëdhjetë pas luftës ndërmjet shqiptarëve të Kosovës dhe forcave serbe nën udhëheqjen e regjimit Jugosllav të Millosheviqit; ky i fundit i kishte shpëtuar dënimit për krime kundër njerëzimit në Gadishullin Ballkanik, duke gjetur vdekjen gjatë procedurës gjyqësore në Hagë.
Ndërsa Serbia dhe pasardhësit e Millosheviqit (shokët e tij), të cilët kishin luajtur një rol të rëndësishëm në operacionet e spastrimit etnik, vrasjeve në masë dhe masakrave në civilët e pafajshëm, të pa armatosur e të pa mbrojtur (në Jugosllavinë e atëhershme), u shpërblyen me lirinë e lëvizjes nëpër tokën evropiane, si dhe marrëveshje përkatëse ndërkombëtare.
Për çudi disa diplomatë amerikanë dhe evropianë i kanë propozuar këta individë për çmimet paqësore të tilla si e çmimit “Nobel” për Paqe, natyrisht duke përfshirë edhe politikanët e administratës së Pavarur në Prishtinë, të cilët janë të dyshuar për përfshirje në krime lufte, politike dhe ekonomike, siç sugjerojnë shumë raporte dhe komunikime të kabllove diplomatike amerikane.
Kosova është një administratë publike e pavarur, e cila ka përjetuar një instalim sistematik të korrupsionit dhe krimit të organizuar në mekanizmat e saj nga disa politikanë që kanë arritur të fitojnë votë-besimin nga popullata zgjedhore e Kosovës.
Një prej shumë dënimeve që Bashkimi Evropian i ka dhënë kësaj administrate të zhytur në korrupsion dhe krim të organizuar është mohimi i lirisë së lëvizjes, por jo për politikanët të cilët në fakt janë përgjegjës për korrupsionin dhe krimin e organizuar, ndëshkimi është një ‘dhuratë’ për shqiptarët e Kosovës, të cilëve iu është kufizuar liria e lëvizjes falë angazhimit të politikanëve në krim të organizuar.
Zbulimi e dosjeve të inteligjencës së NATO-s, dhe ofrimi i këtyre materialeve të ndjeshme për publikun e Kosovës, në rrethana normale do të ndikonte në uljen e besueshmërisë për grupet dhe individët të cilët janë subjekt i rrëfimeve të saj, por Kosova nuk është në rrethana normale, ajo gjendet në një ‘paralizë institucionale’. Afërsisht në qoftë se materialet do të trajtoheshin në mënyrë profesionale dhe të botoheshin në një periudhë e cila siç sugjeron shkenca e komunikimit masiv, natyrisht se do të ishte shumë e mundur (me një presion të ashpër të mediave ndaj prokurorisë vendit nëse do të ishte i nevojshëm?!) që emrat dhe mbiemrat e këtyre dosjeve do të ktheheshin në një subjekt të hetimeve dhe ndjekjes penale ndaj të dyshuarve për përfshirje në krime.
Publikimi i dosjeve të NATO-s në Prishtinë, ku ndër të tjera vë në dyshim përfshirjen e qeverisë dhe udhëheqësit e partive politike në një pako të krimit të organizuar në Kosovë, vjen në një kohë dhe rrethana të cilat sigurisht që është shumë e mundur që të zhvlerësojnë vlerën e këtyre dosjeve.
Vendi gjendet në një fushatë zgjedhore ku të dhënat për premtimet parazgjedhore me dhunë imponohen në mendjet e publikut zgjedhor në vend. Publikimi i dosjeve të NATO-s thjesht do të prodhojë një “efekt pozitiv” mbi opinionin zgjedhor për udhëheqësinë e partive politike emrat e të cilëve janë subjekt i tregimeve të publikuara.
Shkenca e komunikimit masiv sugjeron se informacionet të cilat aspirojnë që t’i përballin sundimtarët me drejtësinë, duhet të publikohen në kohën e duhur, në mënyrë që autoritetet ligjore të prokurorisë së shtetit t’i kenë duart e lira për të kryer detyrën e tyre në përputhje me ligjet në fuqi. Kjo nuk është një kohë e duhur për tregime të tilla të botuara këtyre ditëve në Kosovë, pasiqë shumica e opinionit zgjedhor kryesisht fokusohet në atë se çfar premton udhëheqësia e partive politike, dhe si pasojë është shumë e mundur që publiku vendos të zgjedhin rrugën e lehtë; atë të gëzimit të fjalëve dhe premtimeve të ëmbla të lojës parazgjedhore. Më tej shkenca e komunikimit media-prokurori në vendet perendimore, rekomandon se prokuroria mund të jetë jashtë lojës në kohën e fushatës zgjedhore, ku çdo gjë mund të interpretohet si një akt me motive të përkatësisë partiake, ose në vendet me demokraci tranzicionale prokurorët janë kryesisht të përzgjedhurit e partisë në pushtet.
Në periudhën parazgjedhore, janë rivalët politikë përgjegjës për të kujtuar zbulimet e mediave në vitet e fundit deri në ditën e fundit të fushatës, kjo është një garë që flet më mirë dhe të dhënat më lehtë mund të analizohen nga publiku që pranon informacionin. Prezenca e analistëve të pavarur në media është jetësisht e rëndësishme për krijimin e një opinioni të pavarur politik, ky opinion do të duhej të sugjeronte masat zgjedhore në një drejtim të interesit të përgjithshëm njerëzor e jo partiak apo grupor. Ndryshe, mediat në vend se të shëndërrohen në shtëpi propagandistike për partitë dhe udhëheqësinë e tyre, do të duhej të krijonin rrethana të detyrueshme për politikanët në garën elektorale për të bërë që ata të paraqiten në duele televizive.
Publikimi i këtyre dosjeve në këtë kohë duke marrë parasyshë mjedisin e sigurisë në Kosovë të llojit të Casablanca’s së para luftës së parë botërore, sigurisht që jam i motivuar për të besuar se ky akt në këtë periudhë kishte për qëllim zhvleftësimin e vlerës së krimit të bërë nga politikanët që janë të dyshuar për këto vepra penale.
Përfituesit e vetëm në këtë seri artikujsh duket se janë politikanët emrat dhe mbiemrat e të cilëve janë të rradhitur në faqet e atyre raporteve dhe ‘autorët’ që i publikuan ato, suksesi i të cilëve mund të jetë ulja e besueshmërisë së këtyre raporteve, si dhe mekanizmave që i kishin hartuar ato.
Ndryshe fushatat zgjedhore në Kosovë iu gjasojnë dasmave, me Kryeministrin dhe udhëheqësinë e partive politike (pa përjashtim!) anë e kënd vendit të cilët po ofrojnë dreka e darka për qytetarët e uritur të qyteteve të ndryshme në të gjithë Kosovën, caku është vetëm një, vota!
Pra problemi është se janë vetëm pak ata që mund të vendosin për të lexuar atë që është shkruar në gazetë, por gjithsesi, reagimi i tyre do të jetë i dobët.
“Ahh lëre këtë, është fushata e filan partisë kundër fistek partisë ose asaj në pushtet! Ju lutem, historitë e tilla dhe të tilla të shkruara, janë propaganda të ndonjë vendi të huaj kundër asaj ose kësaj partie!”
Pra, ky është kuptimi përmbajtësor i një përqindje të konsiderueshme të komenteve që i kam hasur në rrjetet sociale të botës virtuale të Kosovës. Pastaj si mund të trajtohen informacionet e tilla në mënyrë serioze kur lexuesit potencial janë militantët dhe prokurorët e egzaltuar në përtypje të biftekut të paguar nga partia. Duke përtypur biftekun, vendimi për mbështetje ose jo ndaj partisë mund të jetë mjaft konfuz thotë psiko-sociologu dhe analisti kosovar Avni Rudaku.
Pra, vlera ligjore e këtyre fakteve ka gjasa të mëdha që të zhduket, zgjedhjet do të kalojnë dhe me sa duket të kërkuarit e dyshuar për krime do të mbajnë çelësin e udhëheqjes së vendit, duke e rrokullisur atë, sa në një xhep në tjetrin.
Për më tepër, në cep të një shkëmbi të gjerë propagandistik në vend, beteja mediatike për të ushtruar presion ndaj prokurorisë së shtetit për të trajtuar me ligj të dhënat e botuara është e garantuar që të dështojë. Qoftë edhe nëse prokurori do të dëshironte të merrej me të, në mëngjesin e ardhshëm ai ose ajo do të pushohej nga pozita dhe përveç kësaj do të përfundonte nën akuzën e famshme për spiunazh, “favorizoi armikun e vendit” do të thonë, taktikë e të gjitha partive për të ikur nga përgjegjësia dhe dredhitë e tyre të pista të dënueshme me ligj.
Pra, duke ofruar këto të dhëna për publikun zgjedhor dhe atë jo-zgjedhor të Kosovës, në rrethana të tilla është një “përfitim për askënd”. Informacioni, së shpejti do të harrohet dhe do të avullohet nga mendjet e njerëzve. Është shumë e mundshme që palët e udhëheqësive partiake në themelet e qeverisë së ardhshme do të bëjnë marrëveshje të natyrës “Një për të gjithë! Të gjithë për një!”, në mënyrë që ata (politikanët) të mund të ruajnë sytë e njëri – tjetrit nga errësitë e thella të burgut. Një lojë e tillë dyshohet të jetë luajtur në vazhdimësi, që kur të dyshuarit (politikanët) morën timonin e drejtimit të vendit, duke rrokullisur buxhetin, zbatimin e ligjit dhe Gjyqësorin nga një xhep në xhepin tjetër.
Zbulimet e tilla duhej dhe duhet të botohen të paktën katër muaj para zgjedhjeve, ose si pasojë e zgjedhjeve, menjëherë pas krijimit të qeverisë së vendit. Zbulimet e tilla serioze nuk duhet të jenë një botim ekskluziv i vetëm një redaksie për shkak se ato nuk janë histori të lojërave olimpike, ose aktorëve hollivudian, apo vajzave kriminele të llojit të Kallashit që është ndryshe shpërfaqja e krimit dhe mafias në vend. Unë supozoj se secili nga ne kujton koordinimin e publikimeve të kabllove diplomatike të administrates së SHBA-ve nga WikiLeaks, si dhe dosjet e NSA të dala nga Edward Snowden, një koordinim mjaft i suksesshëm e profesional i katërshes prestigjioze ‘The New York Times në SHBA, Der Spiegel në Gjermani, The Guardian në Mbretëritë e Bashkuara dhe Le Monde në Francë.
Dosja e Kosovës e rrjedhur nga inteligjenca e NATO-s, në vend se të zhvlerësohej ashtu siç është bërë tashmë, duhej të ishte botuar në koordinim serioz e profesional me Gazetat dhe mediat në nivel kombëtar, dhe hapi tjetër duhej të ishte një fushatë e pandalshme presioni editorial ndaj prokurorisë shtetërore të vendit për të kërkuar me ngulm trajtimin ligjor në mënyrë të pavarur. Kjo do të ishte një shans që drejtësia të mbizotëronte në vend, e këtë shans e ka varrosur edhe kësaj here një akt i tillë jo professional i gazetës ‘KOHA’ në Prishtinë.
Populli i Kosovës, i rrethuar me kodra e male, liria e lëvizjes e të cilëve po mohohet në vazhdimësi nga Bashkimi Evropian si rezultat i një qeverie të dyshuar për përfshirje në krim të organizuar dhe korrupsion, është duke përjetuar një situatë ku disa nga krerët partiak e politikë në vend janë duke i avulluar paratë publike. E në Prishtinë disa gazetarë dhe partiakë të tjerë janë duke i ndihmuar ata (me apo pa vetëdije!) që të zhdukin ose zhvleftësojnë informacione të cilat mund të dërgojnë të dyshuarit në rrugën e përballjes me drejtësinë, ose, përballjen me reagime të ashpra të masave popullore të cilat reagime do t’i rrëzonin ata nga ‘fotelja e pushtetit’.
Avullimi i vlerës së krimit në Kosovë po rezulton me avullimin e mundësisë që drejtësia të mbizotërojë ndonjëhere. Drejtësia dikur mbase do të mbizotërojë, por me çfar çmimi!?
Zgjedhjet e qershorit kanë për qëllim të krijojnë qeverinë e dytë të administratës publike të pavarur të Kosovës, që kur kjo e fundit shpalli pavarësinë nga Serbia në shkurt të vitit 2008, një deklaratë publike e cila kurrë nuk ishte ratifikuar ose protokolluar nga institucionet e përkohshme të vetë-qeverisjes dhe as nuk aspiron për t’u ratifikuar ndonjëhere, siç precizon opinioni i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë në opinionin e tyre për ligjshmërinë e deklaratës së 17 shkurtit 2008.
Vedat Xhymshiti, është gazetar i pavarur, ai raporton nga territoret e përfshira në kryengritje paqësore dhe të armatosura. Verzioni i zgjeruar i editorialit është botuar për Gazetën ‘MAPO‘ në Tiranë, ndërsa ai i shkurtuar për Gazetën EXpress në Prishtinë.