Demokracia përfaqësuese është kthyer në një fetish të vërtetë. Sulmohet kapitalizmi, madje predikohet edhe fundi i botës, por assesi të kontestohet demokracia përfaqësuese, e cila prore vazhdon ta kryej rolin e “Master Shenjuesit” në aktualitetin tonë politik. Pra, demokracia përfaqësuese si një shënjues i zbrazët në rendin simbolik që nuk rezulton prej debatit ideologjik por çon krye apolitikisht vetëm mbi logjikën e forcës së numrave: unë kam marrë më shumë vota, unë sundoj (përkundër të gjithave) – pikërisht një “tirani e numrave”, siç do ta quante Badiuja. Kësisoji, demokracia përfaqësuese bëhet krahu politik/instrumenti i kapitalizmit dhe legjitimuesja e tij. Demokracia parlamentare shndërrohet në reduktanten e logjikës së subjektit në arrogancë numrash. Apo thënë ndryshe, zhvleftëson gjykimin e subjektit politik dhe në vend të tij e përcakton numrin si gjykues e përcaktues. Rrjedhimisht funksionon me të njëjtën logjikë si të kapitalit: me logjikën e numrave e të përqindjeve. Pra, nuk ka se si të jetë tjetër pos vartëse e kapitalit. Për pasojë, ngarendja pas demokracisë parlamentare paraqet të ushqyerit e iluzionit se kapitalizmi i shërben demokracisë dhe njëkohësisht i shërben mbulimit të simptomave të raportit të varshmërisë së kapitalizmit ndaj demokracisë parlamentare, e jo anasjelltas.
nga Fitim Salihu
Ekzaltimi elektoral i muajit të fundit s’ka se si të jetë tjetër pos një “jouissance” kolektive e një populli në nevojë, të varfëruar dhe të pashpresë i cili është shndërruar në masë amorfe homogjene që belbëzon “common-sense”-et që i servon Aparati Ideologjik i Shtetit: media/analistët, universiteti/shkollimi, klasa politike/kandidatët për deputetë, etj. Shteti jo gjithmonë përdor vetëm dhunën subjektive (Aparatin Represiv) përgjatë menaxhimit të konfliktit klasor. Madje, më shpesh përdor pikërisht këtë që Altyzeri e quan Aparat Ideologjik.
Mohimi i demokracisë përfaqësuese nuk shpie asesi tek sistemet totalitare. Përkundrazi. Mirëpo, as nuk mohon kritikën ideologjike ndaj të parës. Derisa tek rasti i dytë, tirani duke imponuar vullnetin uniform provokon rezistencën subversive, në rastin e parë, reduktimi i vullnetit politik në vullnet numrash vetë-reduktohet subjektivisht dhe rrezikon provokimin e një apatieje të thellë. Pra, demokracia përfaqësuese e zgjedhjet parlamentare janë krejtësisht e kundërta e demokracisë sepse në këtë mënyrë shteti koncentron në duart e veta politikën dhe e depolitizon qytetarin aktiv duke ia mohuar atij pushtetin për të vepruar e duke ia ofruar zgjedhjen mes ofertave, vazhdimisht sipas logjikës së tregut.
Kur politikanët e karrierës na flasin për demokracinë, një aktivist politik duhet ta shtroj pyetjen: demokraci për kënd? Për cilat klasa e shtresa shoqërore? Përfaqësim i kujt? Nga kush? A mos është demokracia parlamentare mbulesë e karakterit klasor të shoqërisë së sotme kapitaliste dhe piedestal i depolitizimit e reduktimit të problemeve shoqërore? Vetëm përmes pyetjeve të duhura zbërthejmë problemin. Balibari thoshte se problemi nuk është tek përgjigjiet e gabuara, por tek pyetjet e gabuara.
Në këso rrethanash nuk mund të jesh edhe për (re)publikën edhe për demokracinë përfaqësuse. Këto dy koncepte, jo që nuk janë të njëjta, por dallojnë politikisht në thelb. Republika është angazhimi për barazinë përballë Idesë përmes shpikjes së një sekuence të re politike, gjersa parlamentarizmi është përfaqësim oligarkik i kapitalit dhe siç thotë Zhak Ransieri, partitë parlamentare asesi nuk ia arrijnë të dalin prej logjikës kapitaliste, sepse është pikërisht kjo logjikë që i mban gjallë. Në rastin më të mirë, një fushatë e majtë do duhej së paku të mbrunte një denoncim të mirëfillt të vetë parlamentarizmit përgjatë fushatës së zgjedhjeve parlamentare, njëkohësisht duke propozuar hapësira të reja autonome të kuptimësimit të demokracisë burimore përpos/përtej parlamentarizmit. E tek ne kjo s’po ndodh!
Dhe nëse sistemi legal-politik është kaq antagonist me realitetin e nevojave tona, atëherë definitivisht duhet ta refuzojmë pjesëmarrjen në të dhe ta ndërmarrim një aksion kolektiv politik pavarësisht shtetit e sistemit. Ofertat e partive elektorale që marrin nuanca spektaklesh duhet t’i zëvendësojmë me një çarje të vërtetë filozofike e ideologjike për ta shpëtuar politikën prej reduktimit në administratë e diskurs të venitur. Dhe si hap i parë drejt këtij aksioni kolekiv politik duhet të jetë prishja e fletëvotimit dhe organizimi – jashtë margjinave të sotme (një ide mund të jetë radikale vetëm jashtë këtyre margjinave) dhe pavarësisht sistemit – drejt realizimit të Idesë politike. Robespjerri thoshte se nuk ka nevojë të gjykohet mbreti për krime, sepse vetë të qenurit mbret është krim më vete. “Mbreti duhet të vdes, sepse populli duhet të jetoj!”