A është Rusia në Evropë? Ku është Evropa
Pas vdekjes së Titos më 4 maj 1980, u rritën tensionet ndëretnike në Jugosllavi, më tej me periudhën e Millosheviqit ajo pothuajse u kthye në një Serbo-Sllavi. Ka shumë teori në lidhje me shpërbërjen e Jugosllavisë; një prej tyre thotë se Jugosllavia është bazuar në tri shtylla të shtrënguara. »I – Presidenti Marshall Tito, i cili ishte i gjithëfuqishëm gjatë 1944-1980, shtylla e parë, natyrisht u zhduk me vdekjen e tij; »II – Partia e fortë Komuniste e Jugosllavisë, e cila natyrisht u zhduk brenda zgjedhjeve të para demokratike, që u pasuan me lëvizje të ngjashme si ato të rënies së Murit të Berlinit, zgjedhjet demokratike në Poloni, Çekosllovaki dhe kështu me radhë; »III – Ushtria Jugosllave Kombëtare (JNA), e cila në fakt u bë ushtria serbe pas angazhimit të saj në luftërat civile të Kroacisë, Sllovenisë, Bosnjë-Hercegovinë dhe në Kosovë që nga fillimi i viteve 1990.
Pra, Tito kishte shkuar, partia komuniste bashkë me të dhe angazhimi i ushtrisë në luftërat civile kundër popullatës jugosllave të cilët u përgjigjen me kryengritje të armatosura, shënoi rrugën e një procesi të shpërbërjes së Jugosllavisë. Me zhvillimet e mëtejshme gjetjet rekomandojnë se Millosheviqi ishte përpjekur për të krijuar një ‘Serbo-Sllavi’ nga mbeturinat e Jugosllavisë.
Epoka e gjakderdhjes së Ballkanit të Jugosllavisë së Millosheviçit përfundoi me luftën e Kosovës në vitin 1999, pas 72 ditësh të angazhimit ushtarak të NATO-s përmes një fushate bombardimesh ajrore që kishte për qëllim për të ndaluar dëbimin dhe vrasjen në masë të shqiptarëve etnikë në Kosovë kjo e fundit në shkurt 2008, shpalli pavarësinë nga Serbia, akt ky i cili do të çojë në një mosmarrëveshje të vazhdueshme nëse Kosova është një shtet i njohur ligjërisht. Se Kosova nuk është shtet në fakt, këtë e ka konfirmuar edhe vendimi i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë në Korrikun e vitit 2010, ku mes tjerash saktëson se deklarata e shkurtit 2008 nuk aspiron të hyjë në fuqi ndonjëhere (shih dokumentin!). Megjithatë, vende të shumta, duke përfshirë Shtetet e Bashkuara dhe anëtarë të ndryshëm të Bashkimit Evropian, e kanë njohur deklaratën e pavarësisë së Kosovës.
Dy nga shtatë vendet e ish-Jugosllavisë (Sllovenia dhe Kroacia) tashmë janë brenda Bashkimit Evropian; të dy republikat janë ndër të parat të dalura si vende të pavarura nga rajoni i Jugo-sferës që synonte të rritej si një Serbo-Sllavi e Millosheviqit.
Vendet e mbetura nën ndikimin e sistemit të Serbisë nga epoka e Serbo-Sllavisë janë pjesë të rëndësishme të Bosnje-Hercegovinës, si dhe Kosova, Mali i Zi duket të jetë në gjendje për të zhvilluar politikën e saj në mënyrë të pavarur, por Maqedonia në mënyrë paqësore ishte ndarë nga Jugosllavia në vitin 1991, e cila mendohet të jetë e përfshirë drejtpërdrejt në procesin e zbatimit të politikës së jashtme pro-Ruse, rruga e së cilës drejt integrimit në BE dhe në NATO është duke u penguar nga politikanët e saj të cilët besohet të jenë të caktuar në detyrë që nga rrënjët familjare nga sovjetikët. Ndërkohë që sa i përket politikanëve në Kosovë, sodjet e NATO-s kanë shpalosur lidhjet klanore dhe familjare te rrjeteve legale dhe ilegale të biznesmenëve më në Zë të Kosovës të cilët bashkëjetojnë me biznesmenët Serb që më shumë se tri dekada. Dihet se Serbët janë të lidhur me ‘Nënën Rusi’ siç e quajnë ata.
Politika e jashtme e Federatës Ruse përbëhet nga një vazhdimësi historike e angazhimit kundër një Evrope të Bashkuar. Konferenca e mbajtur në Jaltë (Krimea sotme, dikur e Ukrainës), në shkurt të vitit 1945 me qëllim të trjatimit të zhvillimeve të Pas-Luftës së Dytë Botërore kujtohet si një fakt historik që ‘detyroi’ Mbretërinë e Bashkuar dhe SHBA-të, për të njohur situatën në terren.
Një Jugosllavi e mundshme neutrale që do të mund të luante një rol të fuqishëm do të dobësonte ndikimin Rus në Evropën lindore si dhe do të mund të ishte një pengesë për Politikë të Jashtme të Rusisë që kishte për qëllim për të parandaluar krijimin e një zone të tillë politike ‘tampon’, një zonë që mbase do të ishte një mur i pa-thyeshëm kundër zgjerimit të ndikimit të saj politik e madje edhe territorial të Rusisë drejt kontinentit evropian. Megjithatë, Jugosllavia gjithashtu përbënte një kërcënim ndaj ideve Evropiane (Kontintetit që aspironte për t’u Bashkuar) për pasojë kjo duhej shkatërruar dhe krijimi i rrethanave të saj pati sukses si rezultat i angazhimit Politik dhe Ushtarak të Shteteve të Bashkuara në një bashkërendim me Evropën Politike.
Gjashtëdhjetë vjet më parë ishte formuar komuniteti ekonomik evropian, komuniteti atëhere ishte nën një marrëveshje të qymyrit dhe çelikut që ndryshe u njoh si ECSC. Komuniteti Evropian i Qymyrit dhe Çelikut (ECSC—European Coal and Steal Community) ishte një organizatë ndërkombëtare që shërbeu për të bashkuar vendet evropiane pas Luftës së Dytë Botërore, pjesë e të cilës ishte Belgjika, Franca, Gjermania Perëndimore, Italia, Holanda dhe Luksemburgu. KEQÇ ishte organizata e parë ndërkombëtare që në fund të fundit do të çonte përpara rrugën për themelimin e Bashkimit Evropian. Duke marrë parasysh këtë fakt që në atë kohë faktori lëvizës i ekonomisë ishte qymyri dhe çeliku, gjashtëdhjetë vjet më pas në mënyrë që të ecën përpara zhvillimi e mëtejshëm ekonomik duhej gazi natyror.
Që nga atëherë, kur sovjetikët arritën të zbulonin gazin natyror, ata vazhdimisht dëshironin ndikim në Evropë përmes ‘penetrimit’ të tubacionit si mjet i tyre gjeopolitik, nganjëherë ndërtimi i projekteve të tubacioneve është ndihmuar privatisht edhe nga ish krerët politik të vendeve të Bashkimit Evropian.
Qëndrimi i komisionerit Evropian të energjisë Günther Oettinger se projekti i tubacionit ‘South Stream’ (Shqip: Rrjedhja e Jugut; i cili planifikon të lëvizë gazin rus drejt tregjeve evropiane përmes Evropës Qendrore Jugore dhe Lindore) nuk kualifikohet për financimin e prioriteteve të BE-së, me sa duket ka qenë një goditje për shpresën e Rusisë për t’i ndikuar më tej evropianët nëpërmjet një vrime të tubacioneve.
Prandaj, zemërimi i Rusisë i cili doli në sipërfaqe mes tjerash edhe me aneksimin e Krimesë është një nga pasojat e refuzimit të Evropës për të trajtuar me prioritet tubacionin e Monopolit rus të gazit natyror në kontinentin evropian, si dhe angazhimi i dyshuar i Evropës në rrëzimin qeverisë ukrainase me orientime pro-fqinjit të saj Rusisë, i cili rezultat ishte pasojë e angazhimit të korporatës tashmë të njohur amerikane ‘CHEVRON’ për përfshirje në kontrata gjigante në kohë krizash. Përmbytja e një qeverisje pro-ruse në Ukrainë kishte shkaktuar frikë tek rusët se ata do të mund të humbasin shtëpinë e Flotës së tyre Detare në Krime. Vetëm pak ditë pas hyrjes në fuqi të qeverisë teknike në Kievë, këta të fundit nënshkruan një kontratë dhjetë bilion dollarëshe me ‘CHEVRON’ ($10 B), kontrata nuk ishte verifikuar, publikuar apo debatuar në ndonjë instancë parlamentare në nivel vendi.
Federata Ruse ka vazhduar të mbështesë në praktikë operacionet civile dhe ushtarake në tokën Ukrainase, ndërsa disa ditë përpara zgjedhjeve Ukrainase dhe referendumit të planifikuar në Ukrainën lindore, Parlamenti Evropian (PE) miratoi një rezolutë kundër ndërtimit të ‘Rrjedhës së Jugut’ projektit rus të tubacionit të gazit natyror.
Rrëzimi i fluturakes civile ‘MH17’ të ‘Malaysia Airlines’ ka shkaktuar komplikime serioze në marëdhëniet Ruso-Evropiane. Amerikanët kanë akuzuar Rusinë për krimin e bërë e kjo e fundit është përfshirë në maratona akuzash me Kievin zyrtar lidhur me përgjegjësinë e këtij krimi i cili nuk është i pari, duke qenë se amerikanët kishin vrarë 290 civil Iranian në fluturaken civile në korrikun e vitit 1988, e rusët kishin vrarë 269 civil në vitin 1983.
Sidoqoftë, dëshmitë në terrenin tokësor tregojnë se Rusia qëndron prapa thuajse çdo aktiviteti të grupeve të armatosura kryengritëse në lindje të Ukrainës, ndërkohë që përgjegjësia e kësaj të fundit ndaj fluturakes civile ‘MH17’ vje në shprehje për faktin që fluturakja është rrëzuar në hapësirën ajrore të Ukrainës dhe jo të Rusisë, por megjithatë më të zëshmit ndaj këtyre zhvillimeve kanë qenë amerikanët, mbase kontrata e ‘CHEVRON’-it dhe pretendimet amerikane për zgjerim gjeopolitik drejt Rusisë përmes ‘Evropës së Bashkuar’ e ka bërë të vetën!
Këtë vit komisioneri Oetinger ai tha se “ne duam një çmim uniform të gazit në tregun e përbashkët evropian për të gjitha shtetet e tij anëtare”, duke shtuar se infrastruktura e përbashkët e gazit të Evropës duhet të përfshij Ukrainën, Gjeorgjinë dhe Ballkanin Perëndimor. Prandaj, (kërkesa e fundit e synimeve të Gazprom-it të Rusisë) për të shmangur një situatë në të cilën kontinenti evropian do të mund të jetë i kërcënuar ose shantazhuar nga “Gazprom”, është vendosur të refuzohet trajtimi i aseteve ruse si prioritet. Marrëveshjet në këtë fushë shumë të rëndësishme janë nënshkruar tashmë në vitin 2006, kështu që korniza ligjore është e gatshme për të vepruar ashtu siç ka planifikuar BE.
‘RUSIA DHE EVROPA -II- vazhdon…!
Vedat Xhymshiti, është gazetar i pavarur, ai ka specializuar në fushën e marëdhënieve ndërkombëtare dhe diplomacisë. Që nga viti 2008 Xhymshiti ka ushtruar veprimtarinë e tij si reporter lufte në territoret e përfshira në kryengritje paqësore dhe të armatosura politike. Lufta e fundit nga e cila ka raportuar, hulumtuar dhe hartuar artikuj gazetaresk, është lufta civile e Republikës Arabe të Sirisë. Punimet e tij janë botuar në Magazinën Gjermane ‘Der Spiegel’, Magazinën Franceze ‘Paris Match’, Le Monde, Amerikanen The New York Times etj. OP-EDitoriali është botuar në të përditshmen kosovare EXpress më 1 Gusht, 2014.