
Taktika Policore në Ferguson është frikësuese kundrejt një komuniteti me ngjyrë dhe të pambrojtur.
Prej 9 gusht e këndej, në qytetin Ferguson (St. Louis) të shtetit Missouri të SHBA-së, po ndodhnin trazira dhe protesta edhe përgjatë disa netëve. Këto protesta patën shkas vrasjen në rrugë të një 18 vjeçari me ngjyrë nga zyrtari policor. Ngjarja u interpretua me motive raciste ndaj viktimës dhe duket se kjo u bë vetëm shkas nxitjeje për një valë trazirash, teksa në sipërfaqe po shfaqej diçka akoma më e thellë dhe më strukturore, me bazë diskriminimin e mbetur racor në SHBA, duke u shoqëruar me të arrestuarit, gazlotsjellës, prani të shumë policëve dhe madje me makina të forta me armatim.
Nga zemërimi për vrasjen e të riut, u kalua edhe në grabitje dyqanesh, duke kaluar nga ngjarja me karakter avokimin e drejtësisë dhe të drejtave të barabarta njerëzore, në sjellje huliganësh dhe kjo e fundit i dha dimension të pahijshëm bërtimave të drejta. Sidoqoftë, ishte e pazakontë të dëgjohej për arrestime gazetarësh të Washington Post-it, apo pengim të punës së Al Jazeera Amerikane nga policia gjatë protestave në Ferguson, duke shtyrë shumë kritika në drejtim të autoriteteve amerikane dhe policore, rreth trajtimit të paskrupullt të medieve dhe raportimit të së vërtetës nga ngjarja.
Kanë reaguar edhe asociacione mediesh lokale e botërore ndaj sjelljes së autoriteteve amerikane të sigurisë. Zemërimi i protestuesve afro-amerikanë u rrit tejmase, pasi që i riu ishte i paarmatosur dhe policia lokale nuk po tregonte emrin e zyrtarit policor, pasi që kishte arsyetuar heshtjen për ruajtjen e sigurisë së integritetit fizik apo jetës së zyrtarit policor, por edhe familjes së tij, ngase kishte pasur kërcënime me vrasje për të, si shenjë mllefi ndaj vrasjes së të riut. Emri i policit do të bëhej i ditur pas pak ditësh, sepse tensionet u shtuan tejmase. U rrit zemërimi i protestuesve në rrjetet sociale dhe publikut të gjerë, dhe kjo do të mund të nxiste protesta në gjithë SHBA-në, sepse kjo po u identifikohej dhe perceptohej si diskriminim dhe shtypjes nga zyrtarët e bardhë policorë ndaj qytetarëve me ngjyrë, përkatësisht atyre afro-amerikanë. Emri i zyrtarit policor po bëhej i njohur për publikun qoftë nga presioni i vetë protestuesve, qoftë nga familje e Michael Brown, qoftë nga një lajm që qarkulloi se disa hakerë kishin bërë surfing në sajtet e policisë dhe kishin vënë në rrezik publikimin e një emri tjetër të policit.

Ndërsimi i Policisë së Shtetit kundrejt civilëve të pambrojtur dhe të paarmatosur në Ferguson, SHBA.
Kjo e fundit i binte se po bëhej fajtor dikush që nuk ishte realisht. Sipas policisë, ky nuk ishte emri i zyrtarit policor që qëlloi të riun me ngjyrë dhe më vonë dolën me emrin e vërtetë të zyrtarit policor, të cilin kanë thënë se e kanë shkarkuar menjëherë nga detyra. Tani mbetet me drejtësinë dhe analizat e kamerës se si ndodhi ngjarja, sepse polici ka deklaruar se ishte thirrur në lagjen ku disa persona po grabisnin një dyqan dhe Brown ishte midis rrugës, po ecte shlirë dhe po pengonte autoritetet në kryerjen e detyrës. Në atë rast, polici në detyrë ka shkuar dhe Brown ia ka kapur edhe armën, ka thënë ndër të tjerash zyrtari policor.
Ndërsa dëshmitarët e ngjarjes kanë thënë se Broën as nuk ishte i armatosur dhe po ashtu ka ngritur duart në shenjë dorëzimi dhe respektimi të urdhërit policor. Pas këtij incidenti me përmasa tragjike, ku shihnim duke qarë prindërit në konferencën për shtyp dhe po kërkonin drejtësinë për birin e tyre, afro-amerikanët janë të zemëruar tejmase. Kjo ka bërë që të diskutohet dhe të raportohen edhe hulumtime se si shumica e afro-amerikanëve thonë se diskriminohen dhe nuk trajtohen korrekt nga ana e zyrtarëve të bardhë policorë, duke e vlerësuar se kjo lidhet me racizëm dhe paragjykimet e gjalla kulturore.
Sipas sondazhit të vitit 2013 nga “Pew Research Center”, 70 përqind e amerikanëve të zinj besojnë se ata janë trajtuar më pak në mënyrë të drejtë se të bardhët në marrëdhëniet e tyre me policinë – thuhet në artikullin e Washington Post. Madje, edhe titulli i këtij artikulli tregonte një gjë: 7 në 10 amerikanë të zinj besojnë se sistemi i drejtësisë penale i trajton ata në mënyrë të padrejtë. Pra, qoftë nga policia, por edhe nga gjykatat, njerëzit që i përkasin racës së zezë, shumica prej tyre kanë deklaruar se nuk trajtohen drejtë dhe barabarësisht. Pra, një Martin Luther King tjetër duket i nevojshëm edhe sot dhe gjithmonë, ndonëse jo në ato përmasa të viteve të 60-ta të shekullit XX!
NGJARJA NË FERGUSON DHE VERSIONET E RRËFIMIT TË NGJARJES
Të dhënat që kanë ardhur deri më tash tregojnë se i riu ishte i dyshuar për grabitje në një dyqan, por protestuesit vazhdojnë të jenë të hidhëruar deri në palcë me këtë version, pasi sipas dëshmitarëve dhe familjarëve të ngjarjes, kjo nuk ka qenë e vërtetë. Në protestat e tyre edhe gjatë natës, policia ka qenë e armatosur me arsenal të rëndë. Sidoqoftë, po flasim për kontekstin amerikan, ku sa herë ka ngjarje të vrasjeve në masë në shkollat e tyre, vrasës serikë, e të ngjashme, nxitet debati në mes të atyre që janë kundër posedimit aq të lirë të armëve të secilës familje në SHBA dhe atyre që janë për liberalizim të plotë sikur që është aktualisht.
Ata apo ato që janë pro-posedimit të armëve të secilit qytetar, mendojnë se sa më shumë që të ketë liri të zotërimit të armës, më shumë ka mundësi të kontrollit të vrasjes dhe më mirë të ketë legalizim të armëve. Ndërsa grupi tjetër thekson se posedimi i armëve nxit më shumë vrasje. Sa i përket grupit të dytë, po e shprehi edhe me studimin e bërë nga disa psikologë socialë, sipas të cilëve, njerëzit sa herë shohin dhe kanë kontakt me armën, ua kujton atyre se janë vrasës. Në këtë linjë, mund të themi se edhe prania aq masive e armëve nuk duket se është diçka e shëndetshme. Sidoqoftë, njerëzit që njohin SHBA-në, sistemin e jetesës atje dhe në përgjithësi liberalizimin në posedimin e armëve, e dinë që policia është më e ngurtë dhe më e ftohtë në raport me grabitësit, hajnat e kështu me radhë. Madje, atje është edhe më e rëndë ta kërcënosh policinë apo gjërash të tilla, sesa ta zëmë në Kosovë!
Kanë probleme në disa lagje gangsterësh dhe policët janë më të armatosur, sepse janë të armatosur shumë edhe vetë popullata apo qytetarët. Prandaj, në këtë kontekst të gjithsecilit me armë, nuk është aq lehtë të gjykosh situatat e prodhuara në SHBA, pa e njohur edhe kontekstin e posedimit të lirë të shumë armëve dhe se si janë të dhënë amerikanët pas armëve. Mirëpo, as kjo nuk e arsyeton vrasjen dhe abuzimin me detyrën nga ana e policisë lokale apo federale. Por të kalojmë te rasti i Brown. Sipas artikujve të botuar në mediet prestigjioze amerikane e globale, për informacionin më të ri se si ndodhi ngjarja shkruhej si në vijim: “Brown dhe një mik i tij po ecnin në shtëpi pas daljes nga një dyqan kur Brown u qëllua për vdekje nga një polic. Miqtë dhe dëshmitarët thonë se duart e Broën ishin në ajër kur ky i fundit u qëllua nga të shtënat. Policia thotë se Brown u qëllua gjatë një lufte mbi armën e oficerit. FBI ka hapur një hetim dhe rasti është duke u hetuar.”
Në anën tjetër, është e habitshme se si policia gjatë dhe pas rastit të vrasjes, përpiqej të ndalonte të gjithë ata që regjistronin pamjet dhe kjo nxiti edhe reagime nga opinioni publik, mediet dhe të tjerët që ishin të specializuar në transparencën e zyrtarëve publik. Një media shkroi me titull: “Yes, you can record”, duke treguar të drejtën e secilit qytetar të regjistronte apo merrte pamjet se si sillet një zyrtar policor në detyrën publike, ngjashëm siç kanë shumica e policëve kamerat në trupat e tyre.
Pra, policia e kishte shkelur edhe këtë drejtë dhe sillej mjaft vrazhdë. Në mediet e sipërcituara amerikane, thuhej tekstualisht se, “udhëheqja e qytetit dhe forca e saj policore janë kryesisht të bardhë, 53 oficerë në Departamentin e Policisë të Fergusonit, tre prej tyre janë të zinj.”

Dhuna Policore kundrejt kryengritjes civile për të drejtat njerëzore për të jetuar në Ferguson, SHBA.
Nga kjo kuptojmë se është lloj dominimi hierarkik i pushtetit vendimmarës dhe afro-amerikanët e vlerësojnë këtë edhe si pabarazi me të drejtë. Në anën tjetër, mllefi i kaluar edhe në grabitje të dyqaneve, i ngjasonte huliganëve dhe humbte kauzën e drejtë për drejtësi dhe trajtim të barabartë. Mirëpo, trazira emigrantësh në një vend skandinav dhe në Angli, ndonëse të interpretuara si sjellje huliganësh e kriminelësh ordinerë, që qëllim kishin plaçkitjen e dyqaneve dhe vënien në zjarr të objekteve në hapësirën publike të qyteteve, gjithmonë janë interpretuar edhe si një seri simptomesh të shtypjes strukturore nga strukturat e pushtetit vendor.
Plaçkitja e huliganëve në fakt tregon edhe për varfërinë e emigrantëve dhe kushtet e rënda socio-ekonomike, politikave të dobëta të integrimit, politikat lidhur me arsimimin në nivelet inferiore, etj. Mirëpo, se njerëzit me ngjyrë mund të duken më shumë si gangsterë e problematikë në rrugë, nuk lidhet me ngjyrën a racën e tyre, sakaq lidhet me inferioritetin historik të shkaktuar nga dhuna, shtypja dhe privimi në shumë të drejta dhe me gamë faktorësh të cilat kanë të bëjnë me statusin social, nivelin e kualifikimeve, arsimimin, etj., të cilat po ashtu mund të vijnë edhe nga diskriminimi në bazë historinë dhe se shoqëritë perëndimorë sado kanë arritur emancipimin politik dhe njerëzor, ato mbesin shoqëri që nuk i kanë përfshirë brenda vetes, akoma më mirë pjesëtarët e komuniteteve të ndryshme racore, etnike, religjioze etj.
Po ashtu, faji u mbetet edhe të emigruarëve, të cilët kalojnë në faza të ndryshme të rezistencës ndaj akulturimit, mbesin në ca çështje konservatore, getoizohen në disa komunitete dhe mbesin viktima të etiketimeve më pastaj. Sidoqoftë, këtu vihet në pah edhe problemi i multikulturalizmit, sepse nuk lejon as hapësirën e ndërveprimit më të fuqishëm dhe ndikimit të modeleve të jetës te njëri-tjetri, pasi që shpesh kjo interpretohet si përpjekje të një grupi më të madh për asimilim të grupit tjetër, por edhe në anën tjetër, nxitja e djathtizmit ekstrem, si mënyrë elektorale dhe si intencë për të favorizuar vendasit gjithsesi ka efekte negative në tejkalimin e paragjykimeve racore. Gjeni në këtë link gjithçka rreth ngjarjes, të shoqëruar edhe me shumë foto dhe video: http://www.dailymail.co.uk/news/article-2726609/Stores-looted-including-one-slain-teen-Michael-Brown-allegedly-stole-cigars-sixth-night-confrontation-Ferguson-St-Louis-police-ordered-stand-Highway-Patrol.html?ito=social-facebook
PSE MEDIET KOSOVARE NUK RAPORTUAN AQ PËR TRAZIRAT NË FERGUSON?
Edhe në CNN, Washington Post, The New York Times etj., mund ta kenit parë lajmin e dhënë për çdo ditë mbi vrasjen dhe trazirat në Ferguson, por jo edhe në lajmet pesëminutëshe të televizioneve tona nacionale dhe kabllore private, të cilat lajme zakonisht janë në fund të edicionit të lajmeve dhe ndonjëherë mund të ketë ndonje emission me lajme rreth botës. Në përgjithësi mbulimi i lajmeve madje edhe në rajon, bëhet nga mediet e tjera dhe nuk kanë korrespodentë apo reporterë jashtë vendit, me përjashtim të ndonjë lidhjeje telefonike në Beograd, Bruksel, etj. për tema të dialogut apo takimeve të zyrtarëve të BE-së.
Natyrisht se ka edhe medie të shumta nëpër botë të cilat nuk kanë gazetarë jashtë vendit dhe më shumë janë të profilizuara të jenë vendore sesa ndërkombëtarë apo globale si Euronews, CNN, BBC, Al Jazeera, etj., sepse vetëm udhëtimi kushton shumë shtrenjtë, e lëre më të tjerat rreth pajisjeve teknologjike, pagave, sigurimit jetësor në situata rreziku dhe vendet e luftës etj. Pak medie kosovare janë marrë me Fergusonin në edicionin shqip të lajmeve mbi botën, ndonëse lajmet merren nga mediet globale dhe mediet tona nuk kanë lajme autentike. Ka qenë një artikull i shkurtër në sajtin e televizionit “Alsat”.
Për më shumë mund të klikoni në linkun vijues: http://alsat-m.tv/lajme/nga_bota/18308-obama-koha-per-paqe-dhe-qetesi-ne-missouri.html, apo edhe në sajtet zyrtare të medieve kosovare, por duke e hequr nga repertoi i lajmeve televizive në fund të edicionit informativ, me përjashtim të ndonjë raportimi të pjesëshëm dhe jo duke e ndjekur ngjarjen nga 9 gusht deri më sot! Mediet tona edhe në këtë pesëminutësh informativ mbi lajmet nga bota kanë dhënë informacione koncize për Irakun, Ukrainën, Sirinë etj., por nuk e jepnin aq lajmin për Fergusonin. Ne mendojmë se janë disa arsye pse ka ndodhur kjo përzgjedhje lajmesh globale e diskut informativ dhe anashkalimit të rastit të Fergusonit:
- Frika nga shpërfytyrimi i SHBA-së si kampion i mosdiskriminimit, lirisë dhe demokracisë së përsosur;
- Frika nga zbehja e ndonjë proamerikanizmi absolut duke ndikuar një ngjarje e tillë për çmitizim të kultit dhe ëndrrës amerikane;
- Humbja paksa e autoritetit të ambasadorëve amerikanë në Kosovë kur të na flasin për të drejtat e minoriteteve (ndërsa ne kemi shkuar më tej se diskriminimi pozitiv, ndonëse kjo s’vlen për komunitetin RAE), dhe se do të ndërtohej perceptimi krahasues: “në SHBA ka akoma diskriminime si mostër e vend i demokracisë, e po e arrijmë ne si Kosovë këtë standard të respektimit të plot!”;
- Partneriteti që gëzojnë shumica e medieve kosovare me ambasadat dhe zyrtarët ndërkombëtarë, fondet, etj., e veçmas atë amerikane dhe ndikimi i këtij partneriteti në ndjeshmërinë e paraqitjes së SHBA-së si vend perfekt dhe pa asnjë trazirë të brendshme.
Sidoqoftë, bota nuk është si më parë kur një, dy, tri e katër medie, na tregojnë të vërtetën e ngjarjeve përreth nesh. Sot e vërteta nëse nuk del as nga mediet globale që përfshijnë mbulimin e krejt lajmeve, as nga ato lokale, e vërteta rrjedh nga kanalet e gazetarisë qytetare të paorganizuar, drejtpërdrejtë nga njerëzit e përfshirë në ngjarje, rrjetet sociale,facebook, twitter etj. Po ashtu, ngjarja në Ferguson, bëri që edhe aktivistë dhe qytetarë të racës së bardhë, të dilnin krah për krah me familjen dhe afro-amerikanët. SHBA vazhdon të jetë aspiratë e shumicës së shqiptarëve dhe shumëkujt tjetër si referencë për demokraci dhe liri, por e vërteta tjetër po ashtu duhet të del se, kur protestoi profesori me origjinë hebraike në mbrojtje të Gazës dhe afro-amerikanët në Ferguson, policia ishin kogjo të rreptë. Demokracia vazhdon të mos jetë akoma e përsosur kudo dhe as afër saj. E vërteta sa më shumë që thuhet, ajo ndihmon në këtë përsosje. Përndryshe, historia njerëzore është e mbushur jo vetëm njëlinearisht me regres, stagnim dhe progres, por edhe në rrugë ciklike, herë progres, e herë regres. Prapakthimet janë të pashmangshme sidomos kur të vërtetat fshehen.
ORA POLICORE NË FERGUSON

Policia në Ferguson duke përdorur edhe kafshët kundrejt civilëve të paarmatosur dhe të pambrojtur atje.
Sipas lajmeve nga CNN, Euronews, etj., është vendosur ora policore nga autoritetet në Ferguson, deri në orën 6 të mëngjesit, për shkak të vazhdimit të protestave dhe përleshjeve gjatë mbrëmjeve dhe policia ka arrestuar edhe disa protestues, por edhe huliganë. Fatkeqësia mbetet se këto protesta janë duke u keqpërdorur edhe nga huliganët, të cilët po i japin mesazh të keq idesë së protestës.
Në anën tjetër, fakti që po plaçkisin marketet, është edhe reaksion dhe shenjë zemërimi ndaj autoriteteve policore të cilët kishin thënë se Brown ishte dalur nga dyqani ku ka grabitur, dhe me grabitjet e lokaleve nga protestuesit, në fakt ka simbolikë: të gjithë duan të identifikohen me Brown dhe të jenë grabitës! Pra, nuk është krejtësisht vetëm sjellje huligane, por edhe mesazh se të gjithë ne po bëhemi grabitës, duke u solidarizuar me dhembjen për Brown dhe kërkojmë drejtësi për të!
Sidoqoftë, pas Fergusonit, SHBA do të ketë nevojë për reflektim të ri dhe reforma rreth sjelljes së policëve pa baza raciste dhe të diskriminimit! Fergusoni ka treguar për të satën herë se përpjekja për zgjerim të lirive, të drejtave dhe zbatim të drejtësisë nuk mund të jetë e dhënë njëherë e përgjithmonë, por vazhdimisht duhet të kemi aktivizim qytetar për liritë tona dhe mosdiskriminim! Edhe në SHBA, edhe kudo!