Më 11 shtator të vitit 2001 bota u trondit nga sulmet makabre kundër institucioneve shtetërore e komerciale të ShBA-së. Filloi një epokë e re përsigurinë ndërkombëtare. Që nga viti 2001, ShBA-ja me teknologjinë më të sofistikuar në botë, me ushtrinë më të fortë në botë, me metodat më të avancuara në botë, duke u përmbledhur kështu me grushtin më të fortë në botë filloi luftën kundër terrorizmit.
Nuk do ta zgjas shumë për epilogun e këtyre përpjekjeve. Çka filloi si përpjekje më e avancuar dhe me grushtin më të fortë kundër terrorizmit global në vitin 2001 përfundoi me themelimin e të ashtuquajturit Shteti Islamik i Irakut dhe Sirisë (ISIS) në vitin 2014. Së fundi, ISIS-i është duke u vlerësuar si shumë më i dhunshëm se sa “Al-Qaeda”, vlerësim ky i dhënë edhe nga vetë “Al-Qaeda”. ISIS-i tashmë po absorbon e gllabëron të rinj nga Evropa, Ballkani, e Kosova.
Në mëngjesin e së hënës dukej se institucionet e ndryshme shtetërore të Kosovës përdorën po të njëjtën metodë për çka ata thonë luftimin e terrorizmit. Aq sa kishin kapacitet, përdorën grushtin më të fortë që kishin për ta goditur një grup të dyshuar për planifikim të një veprimi terrorist në Kosovë. Ky veprim nga ana e institucioneve qeveritare e shtetërore ishte përmbyllja e rreshtave të fundit të recetës për kërcënimin e sigurisë së vendit dhe të ardhmen e rendit shoqërorë në Kosovë. Të kalojmë tek secili rresht i kësaj recete.
Rreshti i parë: Dobësimi Institucional dhe Cungimi Mendor
Për 14 vitet e fundit është investuar shumë për shkatërrimin e sistemit arsimor në Kosovë. Sa më shumë ndërtoheshin shkolla nga betoni, aq më shumë betonohej truri dhe mendja kritike e të riut kosovar. Kjo e prodhoi të riun kosovar që asnjëherë nuk mendon vetë, por mendon me mendjen e autoritetit suprem. Për disa të rinj ky autoritet suprem është pushteti i cili edhe e ka qëndis këtë sistem arsimor e të cilin duhet dashur e nënshtruar. Ky është i riu Kosovar i prodhuar pas luftës, e i cili i konvenon secilit pushtet, sepse vetëm nënshtrimi ndaj tij e legjitimon atë.
Qasja e lirë dhe e lehtë në teknologjinë informative po i bënë ngjarjet e ndryshme botërore më të qasshme për mendjen e betonuar të të riut kosovar. Kjo papritmas po e tronditë edhe monopolin e pushtetit në Kosovë të cilin duhet dashur dhe nënshtruar ky i ri kosovar. Kur i riu kosovar thërritet t’i nënshtrohet një autoriteti tjetër jashtë vendit, ai tashmë është gjithmonë i gatshëm dhe i qasshëm. Sistemi arsimor në Kosovë ka punuar shumë në këtë drejtim. Ajo çka i konvenonte pushtetit deri më tani në Kosovë, tashmë po i konvenon një pushteti tjetër jashtë Kosovës. Kur i riu kosovar nga Hani i Elezit apo Kaçaniku është i izoluar edhe nga Prishtina, e lere më nga Brukseli, kur ky i ri kosovar është nën mjerim shoqëror, kur ky i ri kosovar më nuk di se cili është shteti i tij, e cili është flamuri e himni i tij, e kush është President a Kryeministri i vërtetë, ky i ri kosovar i përmbushë të gjitha kushtet për t’iu nënshtruar një autoriteti tjetër me një emërues të përbashkët moraliteti për çlirim nga izolimi dhe vetmia.
Rreshti i dytë: Drejtësia e Padrejtë
I riu kosovar po e sheh se si djemtë e Adem Grabovcit rrahin policin e shtetit. Pra i riu Kosovar e sheh se si shteti tek i cili tashmë është duke e humbur besimin i nënshtrohet dy të rinjve me kallashinkovë në bagazhin e veturës së tyre. I riu Kosovar po e sheh se si djali i Sami Lushtakut ballafaqohet me gjoksin e tij me autoritetin e shtetit duke e negociuar drejtësinë për babanë e tij. I riu Kosovar po e sheh se si Gani Geci e Xhabir Zharku të arratisur i dërgojnë SMS Ministrit të Brendshëm duke u tallur me të. I riu kosovar e sheh se si Milazim Krasniqi i cili fyen, diskriminon, dhe publikisht nxitë urrejtje etnike e racore ndaj të gjallëve nuk gjykohet apo dënohet, por e shohin se si dy të rinj kaçanikas që bëjnë shaka me bustin e hekurt të Skënderbeut të vdekur para qindra vitesh gjykohen e ndoshta edhe dënohen. Drejtësia në Kosovë që nga paslufta ishte e padrejtë në baza të prejardhjes apo përkatësisë familjare, siç ishte edhe në kohën e ish-Jugosllavisë, por tashmë ka filluar të jetë e padrejtë edhe në baza të përkatësisë fetare. Pra shteti tashmë po e gërvisht varën që e ka hapur vetë.

Policia e Kosovës shoqërojnë shqiptarin e dyshuar për terrorizëm Ilir Berisha në kryeqytetin e Kosovës në Prishtinë të premten, 27 qershor 2014. Një gjykatë në Kosovë ka urdhëruar 30 ditë paraburgim për tre shqiptarë etnikë të dyshuar për formimin e një grupi terrorist dhe rekrutimin e vullnetarëve për të luftuar në Siri përkrah rebelëve ekstremist sunit. Një i dyshuar i katërt është në arrati. (AP Photo / Visar Kryeziu)
Rreshti i tretë: Etiketimi
I riu kosovar si dhe ata të cilët e kanë zgjedhur prej kohësh rrugën e islamit si shpëtim moral por të cilët nuk e përdorin atë për shprehje dhune (që në Kosovën janë quajtur të moderuar), po e shohin se si po ndërtohet diskursi publik i etiketimit. Etiketimet e padrejta u vunë në funksion të diskursit publik edhe me arrestimin e 40 personave të dyshuar për veprime kriminale, apo që po quhen terroriste. Edhe pse institucionet e përfshira në ekzekutimin e operacionit ishin pak më të kujdesshëm në etiketimin e grupit të të arrestuarve, prapëseprapë diskursi po ndërtohet (gabimisht) mbi baza fetare të tipit “këta islamistat radikal” apo”këta terroristat islamik” e kështu me radhë. Po, është e vërtetë që ky grupacion i të arrestuarve, por edhe kasapi nga Kosova Lavdrim Muhaxheri, veprimet e tyre po i arsyetojnë në baza fetare.
Por institucionet shtetërore si dhe publiku po duket se po bien në kurth të po këtyre grupeve që veprimet e tyre i arsyetojnë nga predikimet e islamit dhe rrjedhimisht duhet goditur “terrorizmi islamik”. Ky është argumenti më i dobët që dikush mund ta dëgjojë. P.sh. ShIK-u vriste njerëz në emër të “shqiptarizmit”, siç po tregojnë seancat e ndryshme gjyqësore kundër disa pjesëtarëve të kësaj organizate. Apo një shqiptar, i cili ishte i bindur se po i shërbente kauzës së “shqiptarizmit” çoi në hava autobusin e”Nis Express”-it me plot qytetar serb duke vrarë përmbi 10 persona. Apo në mars të vitit 2004 u dogjën e u shkatërruan përmbi 900 shtëpi të serbëve, 30 kisha ortodokse, rreth 10 ndërtesa të institucioneve publike, e u dëbuan me mijëra njerëz. A duhet quajtur këto veprime si “terrorizëm shqiptar” vetëm se grupe të caktuara vrasës e kriminelësh veprimet e tyre i arsyetonin me kauzën e “shqiptarizmit”?
T’i etiketosh tentativat e një grupi të dyshuar për veprimet e tyre kriminale në baza fetare, vetëm pse ata thirren mbi ato baza, është ajo çka më së shumti do ta kërcënojë sigurinë e Kosovës dhe të qytetarëve të saj në të ardhmen. Po, disa prej tyre kishin mjekra apo ndonjë Kuran në shtëpitë e tyre që policia do të ketë mundur t’ua gjente pas bastisjes. Por ndoshta edhe djaloshi që çoi në hava autobusin e “Nis Express”-it e kishte ndonjë tatuazh në dorë me flamur shqiptar, apo ndonjë libër të Fan Nolit në shtëpinë e tij që policia do të ketë mundur t’ia gjente. Por tash a duhet t’i etiketojmë këta kriminel potencial në baza të asaj se si ata duken, se çka mbajnë në shtëpi, apo në çka i bazojnë krimet e tyre? Këto etiketime apo kallëpizime dal ngadalë vetëm se do ta tjetërsojnë shtetin dhe pjesën tjetër të shoqërisë kundrejt edhe atyre prijësve e përcjellësve fetarë që nuk kanë të bëjnë asgjë me veprimet kriminale të grupacioneve të ndryshme, e që janë shumicë. Pra shteti po vazhdon ta gërvish tedhe më thellë varën që e ka hapur vetë.
Rreshti i katërt: Prijësit dhe Krijimi i Armikut
Interesante gjatë seancës gjyqësore të 40 të arrestuarve ishte kur ata treguan për prijësin e tyre, Ministrin e Punëve të Jashtme, z. Enver Hoxhaj, i cili kishte thirrur për ta ndihmuar opozitën siriane. Z. Hoxhaj i mbanë dy përgjegjësi në të njëjtën kohë. E para është se z. Hoxhaj ishte Ministër i Arsimit i cili edhe i ka prodhuar këta të rinj kosovar me potencial të hatashëm t’i nënshtrohen çfarëdo autoriteti, e që këta të rinj tashmë po e gjejnë jashtë vendit. Së dyti, z. Hoxhaj si Ministër i Jashtëm ka treguar se din për gjeopolitikën e Lindjes së Mesme po aq sa edhe këta të rinj përgjegjësinë për cungimin e trurit të të cilëve e mbanë vetë z. Hoxhaj si ish-Ministër i Arsimit.
Sido që të jetë, pushteti i tanishëm vendosi që t’i shpërfillë thelbet e këtij problemi. Kjo shpërfillje me shumë gjasë do të prodhoj në Kosovë atë çka shpërfilljet e njëjta në përmasa globale prodhuan sot në botë. E ajo çka u prodhua në botë, arriti ta prekë edhe Kosovën. Kështu në këtë fillim javë përfundon rreshti i fundit i recetës për antagonizmin mes shtetit të kapur nga kriminel të organizuar që legjitimitetin e tyre po e mbajnë padrejtësisht me flamuj të BE-së dhe grupacioneve tjera kriminale që legjitimitetin e tyre po e fitojnë padrejtësisht me flamuj të islamit. Kështu që krijo një armik të vendit, që mos të merrem me ata të vërtetit.