Me shkas ndikimin e ‘ngërçit politik’ në ngërçin kulturor — ‘Ngërçi politik’ është togfjalëshi më i përdorur në muajt e fundit për shkak të krizës politike të moszgjedhjes akoma të kryeparlamentarit dhe pamundësisë për formimin e qeverisë së re pas zgjedhjeve të fundit parlamentare. Në ngërçe, gjërat nuk shkojnë as para, as mbrapa, por stagnojnë, apo më mirë të themi: mpihen! Deri më tash është folur se si ngërçi politik ndikon në rënien e investimeve, pamundësinë për të zgjedhur anëtarët e bordeve të ndryshme të cilat me ligjet e Kosovës, votohen nga parlamenti, etj. Është folur edhe për bllokimin e pagave të punonjësve, për shkak të pamundësisë për planifikuar buxhetin për vitin e ardhshëm dhe alokimin e pagesave, duke u parashikuar një tension i jashtëzakonshëm social e politik në të ardhmen e afërt, nëse nuk kalojmë nga ‘mpirja në shkrirje’! Përderisa punonjësit e administratës publike dhe sektorëve të tjerë publik marrin pagat e tyre, stabiliteti social si duket nga papunësia nuk do të preket, por më shumë nga prishja e rehatisë nga ata që janë aktualisht të rehatuar në vendet e tyre të punës dhe marrja e pagave me rregull! Mirëpo, deri më tash nuk është folur për dëmet në fushën e kulturës. Ne po i tregojmë disa nga problemet në rrafshin kulturor, që shtohen dhe mbesin të pazgjidhura, apo vonohen për t’u zgjidhur, si rezultat i ‘ngërçit politik’.
-
©Vedat Xhymshiti, Demotix/Frontliner
Ndalja e projekteve ekzistuese për shkak të rënies së pagesave ndaj ndërmarrjeve që kryejnë punimet. Në komunën time vetëm u bë përurimi i Qendrës Rinore, por fotografitë nuk u shkrepën më, ngase asnjë tullë më nuk u vë pas përurimit! Pritja e krijuesve për financimin e projekteve të reja kulturore dhe humbja e motivimit për të trokitur në dyert e zyrës së kryetarit të komunës, drejtoritë komunale për kulturë, rini dhe sport, MKRS, e tjerë, sepse në mendjet e tyre u del situata e ngërçit politik dhe e dinë se ka pak shpresë në përkrahjen financiare të projekteve të tyre në këtë kohë të paqartësive të mëdha.
- “Përdorimi i ngërçit politik vend e pa vend!” Deri tash zakonisht arsyetimi më i shpeshtë që kanë përdorur zyrtarët e institucioneve kulturore për financimin e ndonjë projekti kulturor (libër, ekspozitë, etj.), ka qenë: “s’po kemi buxhet”. Aktualisht togfjalëshi më i shpeshtë është: “s’ka njëherë financa, se ngërçi politik, s’po dihet çka po bahet”. Një arsyetim tjetër bazë që është përdorur nga shumica e drejtuesve të institucioneve komunale në krejt Kosovën, ka qenë: “qeverisja e kaluar ka lënë shumë borxhe”. Është e vërtetë se nuk ka buxhet të mjaftueshëm kurrë sa duhet për kulturën, se ka ngërç politik, se qeverisjet e kaluara nuk i kanë lënë me plus qeverisjet e kaluara komunale, por kjo tashmë u bë edhe moment shumë i volitshëm për të arsyetuar mungesën e financimit kulturor, neglizhencën, mungesën e kreativitetit, mungesën e programeve inkurajuese kulturore në emër të të cilave thirreshin para fushatave drejtuesit e komunave, etj.
- Vazhdimi i problemeve të vjetra në ritme edhe më të ngadalshme dhe mbetja e tyre në qorrsokake – Aktorët janë të zhgënjyer edhe më tej, pasi që për ta asgjë përsëri nuk u bë më mirë, ndonëse gjithmonë një nivel shprese te disa ngrihej përpjetë, sa herë kishte premtime elektorale, sikur ishin ato të zgjedhjeve të fundit parlamentare dhe ato lokale komunale. Aktorët rezidentë vazhdojnë të mos paguhen dhe të mbeten nën ‘mëshirën’ e kryetarëve të komunave. Ligji i fundit për teatrot, ku përgjegjësia e MKRS-së bie, ndërsa teatrove të qytetit me ligj u përcaktohet numri i aktorëve rezidentë, për aktorët dhe teatrot vetëm u vazhdua gjendja e rëndë! Nëse shkruhet në ligj se duhet të ketë ‘aq punëtorë’ Teatri i Qytetit, duhet t’i bëhet ‘qareja’, ose të ndryshohet ligji dhe të përputhet me kushtet financiare dhe buxhetore të komunave tona! Secili ngërç politik në vendimmarrje nuk është i dobishëm sidomos kur akumulohen probleme të shumta e të vjetra dhe kultura vazhdon të mbetet peng i zhvillimeve jo të duhura politike në vend. Shtoja këtu edhe ngërçin aktual politik!
- Vazhdimi i burokracisë në ambasada për artistët. Njoh shumë artistë të cilët fare nuk aplikojnë në shumë projekte kulturore, sepse ‘maltretohen’ nëpër sportele, duke nxjerrë dëftesa e dokumente dhe përsëri janë nën ankthin e pranimit apo jo të vizave kulturore. Ndonëse organizatori i huaj u dërgon ftesë, artistët vazhdojnë t’i kenë jo të lehta korridoret e udhëtimit jashtë vendit. Marrja e një vize sidomos për artistët që nuk kanë kushtet e mira materiale edhe më shumë vështirësohet, jo vetëm për shpenzimet administrative sa andej-këndej, por edhe për shkak se nuk mund të kenë pasqyra aq të mira financiare sa për të bindur zyrtarët e ambasadave. Kjo paraqet pengesë për shumë artistë. Ka mundur të bëhet më shumë për lehtësimin e rrugëve të marrjes së vizave nga artistët. Ka mundur të bëhet ndonjë marrëveshje me shtete të caktuara, duke i pajisur artistët e caktuar edhe me karta identifikimi, në mënyrë që atyre t’u lehtësohej liberalizimi i vizave. Kjo do të ishte diplomacia në fushën e kulturës, që artistëve t’u lehtësohet rruga e depërtimit në galeri dhe institucione të rëndësishme kulturore. Imagjinoni një rast interesant që na pati ndodhur një grup të artistëve për në Festivalin e Letërsive të Vogla në Zagreb. Ne kishim për të shkuar për tri ditë atje dhe ambasada e Kroacisë na pati dhënë vizat vetëm për tri ditë, ndërsa aeroplani që kishte për t’u nisur për në Prishtinë nga Zagrebi në orën 23 të natës së fundit, u vonua dy orë dhe u nis në orën 01:00 dhe realisht ne ishim ilegalisht në aeroportin kroat! A nuk mund të bëhej viza për 5 ditë, ndonëse ne kishim vetëm 3 ditë?! Nuk po them se nuk po jepen viza kulturore, por ato jepen me shumë vështirësi dhe mundime! Prandaj, ngërçi politik vetëm po e vazhdon këtë situatë torturuese për artistët të cilët gjejnë lidhje dhe bëhen pjesë e projekteve kulturore në mënyrë online, vetëm për shkak se kanë ndjenja turpërimi dhe faji të sorollaten me aq shumë dokumente dhe nuk mund ta durojnë edhe atë ‘ankthin’ e pritjes së konfirmimit të vizës. Sa herë shkon në ambasada, e keni njëfarë ndjenje faji dhe turpi! Dukeni sikur jeni në gabim, pa qenë gabimtarë dhe shpesh gabojmë në paraqitje, sepse na kap një ndjenjë e përzier e turpit, fajit dhe vetëbesimit të ulët, ndërsa në ato çaste mund t’i vëni në dyshim edhe zyrtarët në ambasadë, në këtë gjendje të pakrehur emocionale! Dukeni sikur keni bërë diçka pa bërë! Është e vërtetë se rrethanat e pavolitshme ekonomike dhe sociale në vend kanë nxitur njerëzit të keqpërdorin besimin e autoriteteve të caktuara, të gënjejnë në dosje sikur në filma, por artistët nuk mund të ngarkohen me këtë përgjithësim. Ka edhe të tjerë artistë të cilët paratë e grumbulluara, duan t’i shfrytëzojnë të bëjnë vizita kulturore, të shohin se ku kanë jetuar artistë të njohur evropianë si Van Gogh, Picasso e të tjerë, por nuk mund të shkojnë lirshëm kur t’u teket atyre! Madje mosliberalizimi i vizave është i lidhur me bileta shumë të shtrenjta. Ja një shembull: nëse ju mund të shkoni kur të doni ta vizitoni Muzeun e Van Goghut në Amsterdam, pa vizë, atëherë imagjinoni sa lehtë do të ishte sikur ne të kishim komoditetin të zgjedhnim një datë të udhëtimit që përputhet me biletë super të lirë! Është gabim të shtrohet pyetja: “A janë lirë biletat për këtë vend…?!”, sepse varet në cilën periudhë shkon, me cilin agjension, me cilin mjet transporti etj. Kur ju keni lirinë e lëvizjes, e zgjedhni mjetin më të lirë, agjensionin më të lirë, ofertën më të lirë, kohën më së paku që e kërkojnë turistët e tjerë, etj. Pra, liberalizimi i vizave të heq edhe vështirësitë financiare, jo vetëm për shpenzimet administrative për një vizë, nënçmimin që e ndjeni kur shkoni në ambasada për të pritur kokulur (pavarësisht se mund të ju presin me fjalët më të mira), por edhe për përzgjedhjen e kompanisë me çmimet më të lira dhe në sezone jo të shtrenjta, kur vijnë në mënyrë masive diaspora jonë etj.
- Këshilli i Kosovës për trashëgimi kulturore dhe organet e tjera në fushën e kulturës, përbëhen nga individë të cilët zgjedhen nga Kuvendi i Kosovës. Ligji për trashëgimi kulturore, të cilin e kërkova qoftë në Gazetën Zyrtare, qoftë në faqet e Kuvendit të Republikës së Kosovës dhe MKRS-së, është i vitit 2006 dhe akoma me vulën e UNMIK-ut, duhet të rishqyrtohet dhe të plotësohet, sepse siç e dimë Këshilli i Kosovës për trashëgimi kulturore është jofunksional, joefikas dhe shumë pak ka bërë detyrën që kërkohet nga ta. Ngërçi politik ndikon qoftë në pamundësinë për të zgjedhur anëtarët e rinj të Këshillit të Kosovës për trashëgimi kulturore, por edhe nëse tërhiqet njëri, të mos votohet tjetri, sepse në nenin 4.8. thuhet tekstualisht: “Këshilli i Kosovës për trashëgimi kulturore, ёshtё organ i cili krijohet nga Kuvendi i Kosovës, i cili përcakton edhe objektin e veprimtarisë sё tij nё fushën e trashëgimisë kulturore. Ai pёrbёhet nga 7 anёtarё, tё cilët zgjidhen pёr njё mandat tri (3) vjeçar nga Kuvendi i Kosovës…” Pra, nëse s’ka Kuvend, nuk ka organ që mund t’i zgjedh 7 anëtarët për një mandat të ri.
Ngërçi politik ka efektet negative edhe në shumë projekte kulturore, sepse deri më tash është folur vetëm për pasojat ekonomike dhe vendimmarrëse, por edhe jo për ato kulturore. Ka edhe shumë pasoja të tjera, të cilat nuk mund t’i përfshijmë në këtë kolumne njëfaqe. Se sa është e rëndësishme kultura për ne, mbetet fakti se të gjithëve u shkoi në mendje të flasin për pasojat ekonomike, investime të huaja e vendore, politikën e jashtme, etj., por jo edhe për kulturën! Fatkeqësisht pak kush foli se ngërçi politik vazhdon t’i lë shumë probleme të vjetra të grumbullohen dhe të mos zgjidhen as të vjetrat e as të rejat në fushën e kulturës.