Sot, në përkujtim të 17 vjetorit të daljes së parë publike të UÇK-së, paskan folur dy nga ata të tre që folën atë 28 nëntor të 1997-s në Llaushë të Drenicës – Rexhep Selimi e Daut Haradinaj. I treti, Mujë Krasniqi, ra dëshmor gjatë luftës.

“Mujë Krasniqi ka vdekur, por kujtimi për të si patriot s’vdes kurrë. Rexha e Dauti s’kanë vdekur, por ka vdekur kujtimi për ta si patriotë” Fitim Salihu
Mujë Krasniqi ka vdekur, por kujtimi për të si patriot s’vdes kurrë. Rexha e Dauti s’kanë vdekur, por ka vdekur kujtimi për ta si patriotë. Sot, kujtimi për këta dy të gjallët na asocion me haraçin, krimin, kontrabandën dhe bizneset e dyshimta.
Ironi apo jo, që të dy janë sot në opozitë. Që të dy po e akuzojnë pozitën – PDK-në e Thaçit – për krim, korrupsion, hajni, autoritarizëm, për ShIK-un, e për çka jo tjetër. Të drejtë kanë! Siç kemi të drejtë edhe ne sot ta vëmë re se edhe Rexha e Dauti janë “po aq Thaça sa edhe Thaçi”. Qe, popull i dashtun, kush po pretendon që është opozita e krimit dhe kontrabandës!
Shpresë nuk kam dhe nuk duhet të kemi as te Hashim Thaçi, Kadri Veseli e Xhavit Haliti, as te vëllezërit Haradinaj, Rexhë Selimi e Fatmir Limaj. (Te LDK-ja jo se jo). Asnjëri nga këta më për mua s’janë UÇK-ja. As xhipat e tyre të blinduar. As villat e kullat e tyre multimilionëshe.
Sot, UÇK-ja janë ish luftëtarët që vdesin urie a që s’kanë bukë t’iu çojnë fëmijëve në sofër. Sot UÇK-ja janë ish-luftëtarët që po bëjnë vetëvrasje prej gjendjes çnjerëzore sociale ku i kanë sjellur ish-“komandantët” e tyre.
Nuk mund ta kujtosh UÇK-në dhe ushtarët e saj idealistë, nëse nuk i kritikon politikanët që kanë dalur prej saj dhe na kanë mbuluar në varfëri, papunësi, krim, korrupsion, mafia, privatizim dhe haraç. Siç nuk mund t’i akuzosh këta pa i kujtuar ushtarët dhe dëshmorët idealistë të UÇK-së.
Para së gjithash, sot UÇK-ja është Ideja për rezistencë kundër këtij sistemi, kundër kësaj nomenklature të kalbur politike. UÇK janë ushtarët e saj dëshmorë dhe betimi i tyre i papërfunduar, sikur ajo stafeta që s’arrin dot deri tek vrapuesi i fundit maratonik.
Shpresë tek këta më s’ka! Shpresë sot e kemi ose emigracionin ose sheshin. Por jo emigracionin. Veç sheshin! Sheshi është e përbashkëta jonë, publikja, e dukshmja. Sheshi na bashkon! Sheshi na trimëron! Sheshi na çliron!