Suedia ishte vendi me pabarazinë më të ulët ekonomike në botë gjatë shekullit të kaluar, kurse fakti që arritjet në barazinë gjinore ishin më të mëdhatë në botë, nuk është i rastësishëm. Përveç nivelit të lartë arsimor, ky sukses ishte bërë i mundur edhe për shkak të politikave sociale që garantonin vende pune për shumicën dërrmuese të popullatës.

Riktheje Vendin E Punës, pastaj Riktheje Natën — Shkodran Ramadani | ©THE Frontliner
Në vitin 1980, vend të punës kishin 75% e grave, përqindje kjo më e larta në vendet e OCED-së, ku mesatarja ishte rreth 50% — (Michael Newman). Aktiviteti politik i lëvizjeve feministe në Suedi atë botë ishte i kanalizuar në zgjerimin e të drejtave politike dhe ekonomike, dhe jo rastësisht ishin grupet e grave ato të cilat refuzuan më së zëshmi implementimin e politikave neoliberale në fillim të viteve ’90. Një prej arsyeve se pse presionet neoliberale patën impakt më të vogël në sistemin e mirëqenies në Suedi në fillim të shekullit XXI ishte vendosmëria e sindikatave të punëtorëve dhe lëvizjeve të grave për të parandaluar një gjë të tillë.
Sot, kur jetojmë në rendin e tregut të lirë, ku gjthçka i nënshtrohet logjikës së profitit, fenomeni i komodifikimit është bërë pjesë e pandarë e shoqërisë. Komodifikimi bazohet në ekzistencën e të drejtave të pronës mbi proceset, gjërat dhe marrëdhëniet shoqërore, duke vendosur çmim mbi to. Logjika e tregut pohohet të jetë etikë për gjithë aktivitetin njerëzor. Bashkë me globalizimin dhe konsumerizmin ka ardhur edhe komodifikimi masiv i grave, në një shkallë të paparë deri më tani. Kjo, e shoqëruar me varfërinë e masave, ka detyruar miliona gra të marrin rrugën e prostitucionit, siç është duke ndodhur në Evropën Lindore, Azinë Lindore, Amerikën Latine, etj — (Anuradha Ghandy).
Humbja e mbrojtjes sociale në shoqëritë e avancuara kapitaliste ka pasur efekte negative, posaçërisht në gratë e klasës së ulët, kurse në vendet ish-komuniste humbja e të drejtave të grave përmes neoliberalizmit ka qenë jo më pak se katastrofale — (David Harvey). Këtyre efekte nuk ka mundur t’u bëjë ballë as Kosova. Sipas Agjencisë Kosovare të Statistikave, konkretisht sipas të dhënave mbi regjistrimin e popullsisë, vetëm 8.4% të grave posedojnë pronë — (Eli Krasniqi).
Përderisa gratë mbesin pa prona, fati i strehimit të tyre do të jetë në duart e burrave që zotërojnë shtëpi. Sipas të dhënave të regjistrimit të popullsisë, vetëm 11.5% të femrave të moshës 15-64 vjet e kanë një vend pune. Kjo i bie që vetëm 65 mijë nga 566 mijë gra të moshës së punës, janë të punësuara — (Agon Maliqi). Logjikisht vijmë në përfundim se përderisa gratë mbeten të papuna, mbulimi i shpenzimeve të tyre mbetet (barrë) në vullnetin e burrave të tyre. Arsyet e papunësisë së lartë të grave mund të gjurmohen tek procesi i privatizimit që ka shpunësuar 76 mijë punëtorë. Në fabrikat si ajo e miellit në Fushë Kosovë, fabrika e bukës në Gjilan, Tjerrtorja në Gjakovë, etj., kanë qenë punëtoret ato që kanë përbërë shumicën e stafit punues.
Mbyllja e fabrikave është reflektuar me mbylljen e gruas në shtëpi (T. Rrusta, A. Tahiri, A. Manxhuka). Në një shoqëri ku gratë (dhe jo vetëm ato) janë të pavarura politikisht dhe ekonomikisht, shfrytëzimi i tyre vështirësohet shumë. Pjesëmarrja në prodhim pasohet me fuqi politike dhe me fuqizim në gjithë sektorin publik, kështuqë unë propozoj që së bashku, burra e gra, të rinj e të reja, TË KTHEJMË PRAPA VENDET TONA TË PUNËS!, sepse çlirimi politiko-ekonomik hap rrugën për çlirim kulturor.
#RikthejeVendinEPunës! pastaj #RikthejeNatën!