
14 Janar — 2012, moment pas sulmit nga Polici Faruk Ibrahimi.
Aktgjykimi i Gjykatës së Kamenicës, me numër P. Nr. 83/2012 i datës 1 Dhjetor 2014, i ardhur në shtëpinë time më 20 Dhjetor 2014, është i pa pranueshëm. Ky aktgjykim (gjoja se!) e shpall fajtor policin Faruk Ibrahimi i cili në një përpjekje të paramenduar dhe planifikuar mirë, për të më vrarë nëpërmjet teknikave të arteve marciale, më 14 Janar 2012 më kishte sulmuar fizikisht, duke më alivanosur, shkaktuar vdekje klinike momentale dhe lënë pa mbështetje mjekësore. Gjykata e Kamenicës pavarësisht përpjekjeve të mia për vëmendje ndaj të drejtave të mia të cënuara nga dorasi F. Ibrahimi, të cilat janë të garantuara me Kushtetutë, ka konsideruar se siç thuhet në Aktgjykim:
“me çka ka kryer veprën penale keqtrajtim gjatë ushtrimit të detyrave nga neni 164 parag. 1, lidhur me nenin 153 parag. 1, nën-parag 4 të KPK-së”.
Duke vazhduar tutje se citoj:
“Gjykata, në bazë të nenit 4, 41, 45, 73, 75 të KPRK-së, lidhur me nenin 365, 463 dhe 453, të akuzuarin Faruk Ibrahimi, e gjykon me denim burgu në kohëzgjatje prej 120 ditë burg efektiv…..”
DEKLARATË
Gjykata ka inkurajuar një vrasës, i cili ishte përpjekur të më vriste me 14 Janar 2012. Gjyqtari Zijadin Spahiu qartësisht hap dyshime se është i lidhur me individët apo grupet e dyshuara për përfshirje në rrjetin e krimit të organizuar, e të cilët kanë qenë subjekt i aktivitetit tim profesional. Trupi gjykues në krye me gjyqtarin Spahiu kanë refuzuar të njohin dhe marrin në konsideratë mbi 10 ligje kushtetuese të Republikës së Kosovës, të cilat evidentojnë shkeljen e atyre të drejtave të mia të garantuara me Kushtetutë. Gjyqtari Spahiu dhe ekipi i tij ‘gjyqësor, janë përgjegjës për falsifikimin e dëshmisë time. Ata kanë ndryshuar dëshminë time duke mos e regjistruar dëshminë time autentike. Gjyqtari Spahiu duhet të hetohet dhe thirret para drejtësisë.
Ky vendim është po aq mizor e vrastar sa edhe përpjekja e 14 Janarit 2012 për të më likuiduar nëpërmjet teknikave të arteve marciale të përdorura nga shoferi i komandantes regjionale të policisë së Gjilanit, polici Faruk Ibrahimi. Për këtë vendim do të njoftohet Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës, Amnesty International, Human Rights Watch, Reporterët Pa Kufij, Federata Ndërkombëtare dhe ajo Evropiane e Gazetarisë, Organizata e Evropës Juglindore për Media, Instituti Ndërkombëtar i Shtypit si dhe Departamenti Amerikan i Shtetit për të Drejtat dhe Liritë Njerëzore.
I dyshuari për vrajse me paramendim polici Faruk Ibrahimi (shofer personal i komandantes regjionale të stacionit të policisë në Gjilan) dhe veprimtaria e tij kriminale e dokumentuar nuk është trajtuar nëpërmjet ligjeve në fuqi.
Ky është një aktgjykim i ‘Jaranisë së Kafehaneve e Rakisë’. Unë do të ushtroj të drejtën time të ankesës ligjore dhe çdo mundësi brenda kornizës së garantuar me ligjet kushtetuese, faktet janë të pakontestueshme se akti i 14 Janarit, ishte një tentim-vrasje e paramenduar dhe si e tillë e qëllimshme. Polici Faruk Ibrahimi më ka borxh një jetë, prandaj dua që detyrimeve ndaj borxhin tim jetësor t’i përgjigjet nëpërmjet ligjeve në fuqi.
TË DREJTAT QË GARANTOHEN ME KUSHTETUTË, E TË CILAT MË JANË SHKELUR NGA (tentim-vrasësi me porosi Polici, Faruk Ibrahimi) POLICIA E KOSOVËS, janë të shënuara më poshtë:
Nenet ligjore nga kapitulli i Kushtetutës së Republikës së Kosovës për të Drejtat dhe Liritë Themelore, nga Ligji për Policinë numër 04/L-076 (tash e tutje Ligji për Policinë).
Nenet Ligjore të Kushtetutës së Republikës së Kosovës saktësojnë se çfar të drejtash më janë shkelur me rastin e sulmit fizik nga ana e të pandehurit, të cilit tash e tutje do t’i referohem si Polici Faruk Ibrahimi: Me aktin e sulmit fizik i cili edhe është transmetuar gjithandej medieve të Kosovës, mua më është shkelur dinjiteti njerëzor i cili dënohet sipas nenit 23 të kapitullit të Kushtetutës së Republikës së Kosovës për të Drejtat dhe Liritë Themelore, i cili nen mes tjerash thotë: “Dinjiteti i njeriut është i pacenueshëm dhe është baza e të gjitha të drejtave dhe lirive themelore të njeriut.”
Poashtu mes tjerash mua më është shkelur edhe e Drejta e Integritetit Personal gjë që dënohet sipas Nenit 26 (par 2), i cili thotë: “Secili person gëzon të drejtën e respektimit fizik, dhe psikik të tij/saj, që përfshin: (2) Të drejtën që të ketë kontroll mbi trupin e tij në pajtim me ligjin.”
Neni 27 i Kushtetutës së Republikës së Kosovës (Ndalimi i Torturës, Trajtimit Mizor, Çnjerëzor ose Poshtërues) thotë: “Askush nuk i nënshtrohet torturës, ndëshkimit a trajtimit mizor, çnjerëzor ose poshtërues.”
Mënyra e sjelljes së policit Faruk Ibrahimi, i cili pa asnjë arsye të ligjshme ose legjitime qëllimshëm më ka goditur mua dhe alivanosur, e bënë përgjegjës atë si shkelës të nenit 26 dhe 27 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës.
Neni 40 (paragrafi 1) Liria e Shprehjes thotë: “Liria e shprehjes është e garantuar, liria e shprehjes përfshinë të drejtën për të shprehur, për të shpërndarë dhe për të marrë informacione, përkatësisht fotografi dhe për t’i shpërndar më pastaj ato nëpërmes mediumeve për të cilat punon një zyrtar i medias.”
Me pengimin e punës sime në mënyrë brutale, polici Faruk Ibrahimi ka bërë shkeljen e nenit 40, paragrafit 1 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, i cili flet për lirinë e shprehjes që në asnjë mënyrë nuk guxon të jetë objekt i dhunës, rebelimit apo përgjegjësisë penale.
Neni 42 (par 1 dhe 2) Liria e Medieve, thotë:
Garantohet liria dhe pluralizmi i mediave. Censura është e ndaluar. Askush nuk mund të pengojë shpërndarjen e informacionit ose të ideve nëpërmjet medieve…”
Polici Faruk Ibrahimi me veprimet e tij antikushtetuese dhe antiligjore ka bërë shkelje të nenit 42 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, duke më penguar mua në kryerjen e detyrave të mia zyrtare që kanë pasë për qëllim publikimin dhe informimin e drejtë të publikut të gjerë për ngjarjet e asaj dite që kanë pasur mbulesë mediatike vendore dhe ndërkombëtare.
Neni 49 i Kushtetutës së Republikës së Kosovës, paragrafi 1, E Drejta e Punës dhe Ushtrimit të Profesionit, thotë: E Drejta e Punës, garantohet. Secili person është i lirë të zgjedh profesionin dhe vendin e punës.
Polici Faruk Ibrahimi, përveç neneve të lartëpërmendura, bënë shkeljen e rradhës respektivisht të nenit 49 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, duke më penguar në ushtrimin e natyrës së profesionit tim, si dhe vendit të punës që në këtë rast vendi ku jam sulmuar fizikisht ka qenë vendngjarja e protestës.
Më tutje, do t’i referohem Ligjit për Policinë, #04/L-076
Veprimet e policit Faruk Ibrahimi zyrtar i policisë së Republikës së Kosovës, janë të kundërligjshme, sepse ai i ka tejkaluar autorizimet dhe kopetencat e tij. Polici Faruk Ibrahimi me veprimet e tij, ka shkelur detyrat dhe autorizimet ligjore që i kishte në kryerjen e funksionit si polic i Republikës së Kosovës.
Neni 10 i Ligjit për Policinë, thotë se detyrat e përgjithshme të policisë janë ndër të tjera:
- Të mbrojë jetën, sigurinë dhe pronën e të gjithë personave;
- T’i mbrojë të drejtat dhe liritë themelore të të gjithë personave;
- Të parandalojë rrezikun ndaj qytetarëve dhe të mbaj rendin dhe sigurinë publike;
- T’i parandalojë dhe zbuloj veprat penale;
- T’i hetojë veprat penale;
Në raport me mua, polici Faruk Ibrahimi, në fakt ka bërë të kundërtën e detyrave që i ka si polic. Ai ka cënuar jetën, sigurinë dhe pronën time. Ka shkelur një mori të drejtash kushtetuese, si dhe në fakt ka krijuar rrezik serioz për jetën time si dhe ka shkaktuar dëme shëndetësore dhe pronësore, deri tek cënimi i integritetit dhe dinjitetit personal.
Neni 12 i Ligjit për policinë nuk autorizon sjelljen brutale dhe nokautimin dhe rrezikimin e jetës së gazetarëve. Në fakt ligji për policinë, obligon policinë që edhe në rast se i duhet të përdorë forcën që në këtë rast nuk është njëri nga rastet e parapara me ligj, gjë që kërkohet nga polici që ta bëjë atë në mënyrë proporcionale dhe të përshtatshme. Polici në fjalë, duke mos vepruar konform nenit 12 të ligjit për policinë që e detyron policin të zbatojë parimin e përshtatshmërisë dhe proporcionalitetit gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare, ka bërë edhe këtu shkelje. Poashtu veprimet e Policit Faruk Ibrahimi, ndër të tjera janë në kundërshtim edhe me Nenin 19 të Ligjit për Policinë, përkatësisht paragrafët 1, 2 dhe 3 të Nenit 19 dhe 14, (prezantimi i Zyrtarit Policor).
Kundërligjshmëria e veprimeve të policit Faruk Ibrahimi, bëhet edhe më serioze edhe tek shkelja e Nenit 25 të Ligjit për Policinë, gjegjësisht katër paragrafëve të parë të këtij neni. Të cilët përshkruajnë në nënyrë të precizuar përdorimin e forcës nga ana e policisë.
- 25.1: Zyrtari Policor është i autorizuar ta përdor forcën vetëm atëhere kur është e domosdoshme dhe vetëm deri në nivel që kërkohet për t’i arritur objektivat legjitime të policisë.
- 25.2: Zyrtari Policor mund të përdorë forcën për ta mbrojtur jetën e personit, për ta parandaluar sulmin, kryerjen e veprës penale etj.
- 25.3: Zyrtari Policor vepron me maturinë e tij/saj për të përcaktuar llojin e forcës, për ta parandaluar sulmin apo kryerjen e veprës penale etj.
- 25.4: Në rastet e përdorimit të forcës, zyrtari policor duhet të përpiqet të minimizoj ndërhyrjen, në të drejtat dhe liritë e personit, dhe të minimizojë çfarëdo pasoje të dëmshme.
Asnjë nga kriteret e përcaktuara nga Ligji për policinë, nuk është përmbushur nga veprimet e policit Faruk Ibrahimi, nga çka lehtësisht konkludohet se ka ndodhur tejkalimi i kompetencave të cilat i jepen zyrtarëve të policisë me Ligjin për policinë. Asnjë nga veprimet e policit Faruk Ibrahimi nuk kanë qenë të përputhshme me nenet ligjore të Kushtetutës së Republikës së Kosovës.
Të gjitha veprimet e policit Faruk Ibrahimi, janë të dënueshme sipas neneve ligjore të Kushtetutës së Republikës së Kosovës si dhe Ligjit për policinë e Kosovës me numër 04/L-076, prandaj kërkoj që vendimi i kësaj ‘Gjykate të Jaranisë’ dhe juria e këtij paneli gjyqësor të jetë krejtësisht një panel dhe një Gjykatë tjetër e cila do ta kuptoj situatën në raport me shqetësimet e ngritura nga baza ligjore e Kushtetutës së republikës së Kosovës, dhe të marr një vendim i cili do të ishte në përputhje me ligjet në fuqi të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, me qëllim që të ndahet drejtësi ligjore për palën dëmtuese që në këtë rast jam unë, dhe atë përgjegjëse për shkaktimin dhe shkeljet ligjore që në këtë rast është polici Faruk Ibrahimi, duke mos e përjashtuar zinxhirin komandues i cili ka urdhëruar policin Ibrahimi të përfshihet në misionin e tentim-vrasjes ndaj meje.
Më poshtë mund ta shikoni tentim-vrasjen e 14 Janarit 2012, e cila është e dokumentuar në video-materialin e poshtëshënuar, ndërkohë që palët e interesuara për të lexuar vendimin e Gjykatës së Kamenicës mund ta shkarkojnë këtu!