“Birdman” Perverti i Martin Eden-it

“Birdman” është film i vitit 2014 i regjisorit të njohur meksikan, Alejandro González Iñárritu. I nominuar në 9 kategori për çmimet “Oscar” të këtij edicioni. Bashkë me “The Grand...
©Njeriu Zog — Kopertina

©Njeriu Zog — Kopertina

“Birdman” është film i vitit 2014 i regjisorit të njohur meksikan, Alejandro González Iñárritu. I nominuar në 9 kategori për çmimet “Oscar” të këtij edicioni. Bashkë me “The Grand Budapest Hotel”, më së shumti. Fitues në 4 prej tyre, më së shumti, po aq sa “The Grand Budapest Hotel”, sërish. Ngjarja bën fjalë për personazhin Riggan Thomson, një aktor teatri, dikur me famë, por tash i obsesionuar pas rikthimit në piedestalin e lavdisë.


Riggan-i (Michael Keaton) kishte arritur kulmin e karrierës dhe të famës dikur me rolin e “Birdman”-it, njeriut-zog, në një film me nam me rolin kryesor të “Birdman”-it superhero, por që me kohë ishte harruar, siç ishte zvetënuar edhe fama e Riggan-it. Tërë kohën atij i flet në vesh “Riggani tjetër”, personazhi i “Birdman”-it, njëfarëlloj ndërdije e tij e ndrydhur. Ia tërheq vëmendjen mbi dështimin e tij në karrierë dhe në jetë. Kjo e nxit Riggan-in që me çdo kusht të kthehet në aurën e shkëlqimit të tij të dikurshëm përmes shfaqjeve në një nga teatrot e tij në Broadway. Dhe për këtë është gatit të bëj çmos.  Bëhet vetë aktor, regjisor e drejtues i teatrit. Iu sulet kritikëve të artit. Përzgjedh e refuzon me arrogancë aktorët. Xhindoset pse aktorët tjerë po fitojnë vëmendje më shumë se ai vetë.

Më në fund i vjen fama. Pak nga “flirti” që bën me komercialen, me rrjetet sociale e atë që e kërkonte publiku (ndonëse pa qëllim, i bie të ec nëpër rrugë lakuriq, duke marrë famë në Twitter e në lajme), e pak nga suksesi i shfaqjes së tij “What We Talk About When We Talk About Love” (“Për çfarë flasim, kur flasim për dashurinë?”), ku ndër të tjera, krejt në skenën e fundme, pjesën e vetëvrasjes, ai tenton ta kryej me një armë të vërtetë. Shpëton, nuk vdes, dhe shërohet në spital. Fama e tij e kishte arritur veçse kulmin. “Birdman”-in që i pëshpëriste në ndërdije e lë pa fjalë. Tashmë Riggan-i kishte arritur famën dhe ai s’kishte ç’të thoshte. Por, sheh zogjët e vërtetë nga dritarja, del në dritare, niset nga ta dhe… kur kthehet e bija e tij në dhomë, ai s’është më aty. Ajo buzëqesh. Filmi përfundon.


Iñárritu edhe më parë njihej me filmat e tij social dhe fatalistë, sidomos me “Biutiful” (2010). Dalja e “Birdman”-it u prit mirë edhe nga audienca e kinemave edhe nga kritikët e filmit. Richard Brody tek “The New Yorker” do ta cilësonte filmin si ‘godardian’, edhepse pa thellësinë dhe mjeshtërinë e filmave të Jean-Luc Godard-it. Kurse, Manohla Dargis në “New York Times” do ta krahasonte personazhin kryesor të filmit me Ikarin e mitologjisë antike greke dhe me fluturimin e tij të famshëm.

Filmi i Iñárritu-s është pleksje filozofike e kotësisë së suksesit komercial. Është filozofi e përpjekjes së njeriut drejt plotënisë. Filozofi Alain Badiou thotë se kinemaja është kusht i filozofisë, mundësi e re e mendimit filozofik dhe sot s’mund të flasim për filozofinë pa e marrë parasysh kinemanë, si dimensionin më masiv të artit në ditët e sotme. Edhe “Birdman”-i, sado cekët, ngrit shumë pyetje filozofike (“Të ngritësh pyetje është më e rëndësishme se të japësh përgjigjie”, thotë një personazh i filmit “Le Petit Soldat” të Godardit) mbi komodifikimin e trupit, mbi profesionin e aktorit (kur Lesley e pyet Laura-n: “pse s’kam fare vetë-resekt”, ajo i përgjigjet: “sepse je aktore”), mbi marrëdhëniet babë-bijë, mbi dekadencën, alienimin, nihilizmin, individualizmin, injorancën, etj.


Jack London-i, i mbiquajtur si një prej mohikanëve të fundit të demokracisë e ideve socialiste në letërsinë amerikane, shkroi më 1909 romanin e tij “Martin Eden”, ku shtjellon jetën e një personazhi, një proletari që ëndërron të bëhet shkrimtar i madh, veçanërisht për t’i lënë mbresa Ruth Morse-it, vajzës që e donte. Ai bën gjithçka në jetë, shet e jep me qera çdo gjë vetëm e vetëm që të kishte të holla për t’ua dërguar shtëpive botuese dorëshkrimet e tij. Ato refuzohen një pas një. Njëjtë siç refuzohet edhe ëndja e tij për t’u bërë shkrimtar i madh e kësisoj edhe gjasat që të pëlqehej nga Ruth-i. Por, pas shumë vitesh e pas shumë faqeve të romanit të London-it, ndodh e papritura. Një nga dorëshkrimet e tij pranohen, botohen dhe marrin dhenë anembanë vendit. Ai më në fund është bërë i famshëm.

Por, tani që Ruth-i i kthehet, ai nuk e pranon dashurinë e saj. Ai nuk e pranon më as famën që fitoi. Pështirosej nga veset e shoqërisë elitare borgjeze. E neveriste tani edhe paraja edhe fama. S’po arrinte ta shijonte atë për të cilën ishte përpjekur me aq sfilitje. Dhe ja si përfundon romani, teksa ai kridhet nga varka ku po lundronte në det: “Atëherë duart dhe këmbët zunë t’i lëvizin ngadalë dhe pa fuqi. Po tashti s’ishin më në gjendje t’i vinin në ndihmë vullnetit për të jetuar, që i bënte të lëviznin e të përplaseshin rreth e rrotull. Në atë çast ndodhej tepër thellë dhe ato s’mund ta ngrinin më kurrë mbi sipërfaqe. I dukej sikur po lundronte nëpër një det të pafund vegimesh… Vetëm kaq kuptoi! Kish rënë në një humnerë të errët. Dhe, sa e kuptoi këtë, e humbi vetëdijen për gjithmonë.”

Sikurse tek Riggan-i, edhe fundi i Martin Eden-it të shëmbëllen më shumë me një fund aq të dashur e të lakmueshëm sesa me një vetëvrasje. Dytë, kishin përbuzur të mirat materiale dhe famën e një “Société du spectacle” në kondita tëhuajsimi dhe me nihilizëm po kërkonin një shkallë më të lartë vetëkënaqësie, një të atillë në amshim.

Por ku dallojnë “Birdman”-i dhe Martin Eden-i? I pari e ka provuar një herë famën dhe në fund e kupton kotësinë e saj, lufton me instiktin e tij egoist (lexo: ndërdijen “Birdman”). I dyti ngarend pas saj tërë jetën dhe në fund e kupton se s’po ia vleka në këtë shoqëri ku komodifikohet gjithçka, edhe qenia. Pra, “Birdman”-i është një përmbysje e Martin Eden-it. Është lexim i mbrapsht i tij. “Birdman”-i dhe Martin Eden-i janë pervertja, çoroditja, përmbysja e shoqi-shoqit. Janë i babëzituri dhe i iluminuari. I pari lakmon famën për lavdi. I dyti kërkon kërkon famën për dashuri. I pari vdes për famë; i dyti bëhet i famshëm për të vdekur. Por që të dy këta personazhe janë, siç e thoshte më vonë vetë London-i për romanin e tij, “goditje ndaj individualizmit, kritikë heroit individual”. “Kapitalizmi prodhon individë egoistë grabitqarë”, shkruante kritiku i njohur letrar e teorik Terry Eagleton. Shpresa për zhvillim, emancipim e sukses individual që prodhon ky sistem vlerash, si dhe shpresa për mobilitet social, janë iluzione të kota, për sa kohë që suksesi individual shkëputet prej progresit të gjithëmbarshëm shoqëror. Kjo është kuintesenca e këtyre dy veprave artistike: në kapitalizëm, artisti nuk e sheh veprën e tij si mjet drejt qëllimit, por si vetë qëllimin.

Fitim Salihu, është përkthyes artikujsh, kapitujsh e librash shqip-anglisht dhe anglisht-shqip. Ai është studiues i spikatur i marrëdhënieve ndërkombëtare, neokolonializmit dhe filozofisë së historisë. Fitimi, shkruan editoriale dhe analiza politike. Ai një kohë të gjatë udhëhoqi organizatën studentore aktiviste "Klubi Politik i Studentëve" dhe vazhdimisht merret me qytetari aktive. Gjatë vitit 2015, ai punoi si redaktor për kulturë në të përditshmen Zëri.info në Prishtinë. Pos gjuhës amtare, flet rrjedhshëm edhe anglishten dhe mjaftueshëm spanjishten e turqishten.

është krim të largohesh nga polemika. ...

Ndërlidhje e artikujve të ngjashëm. ...

  • Ndërmjet dy patetizmash

    Për një dhjetëvjeçar futbolli kosovar u luajt me shumë ndodhi ekzotike, por që asokohe ishin realitet i hidhur. Qese najloni që shërbenin si flamuj të gjyqtarëve anësorë, përroska fshati...
  • BREXIT – pro et contra

    Evropës s’po i ndahen krizat. Krizë pas krize. Ish-ministri i jashtëm gjerman, Joshka Fisher, në një opinion theksoi se Evropa në dhjetëvjetëshin e fundit ka përjetuar një krizë ekonomike,...
  • Kosovo: Spring of the great loneliness

    Despite early hopes that the entire spring will be a season of demonstrations against the government and the newly elected president, Hashim Thaçi. But when no one expected it,...
  • Mos iu prekni dashurinë! (II)

    Është letërsi, ama letërsi e bazuar në realitet. Kësisoj indoktrinohej me fashizëm dekada më parë rinia italiane prej regjimit të Musolinit. Ëndrra për t’i kthyer tokat e Perandorisë Romake...