'Fundi i Heshtjes' Që mund të lexohet gjer në fund!

I nderuar lexues, do të them pesë gjëra lidhur me tregimet e botuara të Muhamet Halilit. SË PARI, sot më së paku kemi durimin për të lexuar dhe dëgjuar tregime,...

I nderuar lexues, do të them pesë gjëra lidhur me tregimet e botuara të Muhamet Halilit.

SË PARI, sot më së paku kemi durimin për të lexuar dhe dëgjuar tregime, aq më shumë tregime të gjata, fjali të gjata, tekste të gjata. Jemi në kohë të krizës së leximit dhe transformimit tonë mbi kuptimet rreth vetë leximit, sepse më shumë shikojmë sesa lexojmë; më shumë shohim filma sesa lexojmë librat ku bazohen po këta filma. Prandaj, në këtë kontekst të ndikimit aq revolucionar të teknologjisë në letërsi dhe kudo në botën e shkrimeve, vetëm tregimet që arrijnë të tërheqin lexuesin, kanë mundësi të depërtojnë, pa përjashtuar këtu fuqinë e marketingut, pushtetit të autorit, fuqisë ekonomike apo mediale, rrjetit promovues etj. Unë besoj se tregimet e Muhamet Halilit janë atraktive për nga vetë kreativiteti në tregime, vijnë nga përvoja e gazetarit shumëvjeçar në terren, vijnë me një mënyrë të re rrëfimi, me ironi e satirë të pasur, duke goditur disa struktura tradicionale të shoqërisë shqiptare, por edhe sidomos thumbon elitat drejtuese në vendimmarrje. Vlerësoj se tregimet e këtij stili të rrëfimit të Halilit do të shtojnë durimin e lexuesit që e problematizuam që në fillim të pikës së parë, sepse prekin realitete të cilat sapo kanë ndodhur dhe janë shfaqur, e për të cilat lexuesit kërkojnë tregimtarë që përthekojnë këto realitete sa më besueshëm dhe sa më letrarisht!

Në foto duket autori i Librit 'Fundi i Heshtjes', Muhamet Halili, derisa dikush nga kritikët po lexonte fjalinë e shkruar të recensentit Avni Rudaku. (©THE Frontliner)

Në foto duket autori i Librit ‘Fundi i Heshtjes’, Muhamet Halili, derisa një moderatore po e lexonte fjalinë e shkruar të recensentit Avni Rudaku. (©THE Frontliner)

SË DYTI, përmbajtja e tregimeve të Muhamet Halilit sillet rreth temave mbi mentalitetin dhe besimet popullore, të cilat në formë bestytnie religjioze apo supersticioziteti në përgjithësi, arrijnë vetëm të riforcohen në kushte të vështirësive sociale dhe ekonomike sikur në vendin tonë. Kod tjetër tematik substancial mbetet kritika përmes ironisë e satirës, duke kritikuar mënyrën se si u bënë disa shtresa shoqërore të pasura; se si disa biznesmenë u bënë të tillë nëpërmjet lidhjes me politikanët e korruptuar, duke satirizuar deri në skajshmëri këtë aleancë që shfrytëzon tranzicionin e vonuar shoqëror, mungesën e sundimit të ligjit, etj.

SË TRETI, Halili e shfrytëzon materialin emipirik si gazetar terreni, duke arritur që të tejkalojë shqetësimin e tij prej tregimtari original, se disa nga ngjarjet apo copëzat e këtij realiteti, mund të bëjnë disa të gjejnë vetveten në këto tregime sikur tregimet janë shkruar direkt për ta, duke e marrë edhe më personale frymëzimin krijues të Halilit. Ai ka arritur ta tejkalojë me sukses këtë gjë, duke i dhënë universalitet përvojave të tij lokale!

SË KATËRTI, tregimet e tij tërheqin lexuesin për nga besueshmëria e dialogëve, prekja e temave të aktualitetit shoqëror, politik, ekonomik dhe etnopsikologjik. Rrëfen në vetën e parë e të tretë dhe ndonëse i ndikuar si shumica e autorëve nga përvoja e tij personale si gazetar, ai më shumë ka si subjekte personazhet të cilat i ka takuar, e të cilat i shfrytëzon për të treguar drejtimin e shoqërisë sonë, sesa vë në epiqendër vetveten si autor! Në realitet, ai vetëm tregon për të tjerët nëpërmjet vetes së tij, e jo nëpërmjet personazheve të tij të tregojë për vetveten sikur që fshihen në personazhe e me përemrat e ndryshëm vetor, shumë autorë të tjerë lokalë e botërorë!

SË PESTI, letërsia shqiptare vazhdon të avancojë në poezi, por jo në prozë, e veçmas jemi mjaft dobët në dramë e tregime. Stili i tregimtarit Halili i përafrohet nevojës së lexuesve të sotëm; teknika e rrëfimit të tij duket më e veçantë, qoftë si rrëfim, qoftë si kod tematik. Përshkrimet e ngjarjeve të përjetuara dhe përmes informimit të gjerë në kontakt me të gjitha shtresat shoqërore, por veçmas kontaktet e përditshme me politikanët dhe mënyrat se si ata përvetësojnë masat e gjera, i satirizon këndshëm dhe lexuesit i japin motivacion shtesë për të vazhduar gjer në fund leximin e këtyre tregimeve. Ai godet edhe mentalitetin popullor dhe provincial, duke atribuar faje në më shumë adresa për këtë transformim të ngadalshëm gjithshoqëror, sesa duke i dhënë fuqi vetëm një grupit të vogël drejtuesish të shoqërisë sonë!

Dhe krejt në fund, është një fakt i sotshëm që secili shkrim, pavarësisht gjinisë letrare, ka shumë mundësi të lexohet në rreshtat e parë, por vetëm ai dhe ajo shkruese që arrinë të lexohet deri në fund, mund të quhet i suksesshëm. Unë dua të besoj se tregimet e Muhametit do të kenë fuqi për të tërhequr lexuesit, për t’u lexuar këto tregime të tij gjer në fund! Dhe jam i bindur në këtë nga vepra e tij, sesa nga njohja me autorin siç është bërë zakon te kritika e sotme e quajtur ‘miqësore’!

Faleminderit që më lexuat, sepse jetojmë në kohën kur duhet ta falenderojmë lexuesin që kupton, ndonëse gjithmonë e kam urrejtur kur në promovime autorët falenderojnë lexuesit që po lexuakan librin e tyre! Thua se nuk ka interes lexuesi nga autori, por vetëm autori për lexuesin!


Avni Rudaku – recensent i librit (fjala e mbajtur me rastin e promovimit të librit me tregime të Muhamet Halilit)

Avni Rudaku është i lindur në Gjilan, Avniu ndryshe i njohur si Rud-Fiqiruesi, është “Bachelor i Psikologjisë” (2006), “Bachelor i Sociologjisë” (2008) dhe “Master i Sociologjisë” (drejtimi akademik, 2012) në Universitetin Publik të Prishtinës. Rudi ka botuar librat: “Poezi pa frymë” (2010) dhe “Pa frymëzime” (2011). Rudi njihet për analiza shkencore, publicistikë, poezi, analiza politike, kritika arti dhe recensione letrare. Aktualisht është kolumnist i rregullt i shtojcës javore për culture në gazetën “Kosova Sot”. Aktiviteti profesional i Rud-Fiqiruesit është i pasqyruar në ditarin e tij në http://www.fiqiruesi.wordpress.com

Avni Rudaku është i lindur në Gjilan, Avniu ndryshe i njohur si Rud-Fiqiruesi, është “Bachelor i Psikologjisë” (2006), “Bachelor i Sociologjisë” (2008) dhe “Master i Sociologjisë” (drejtimi akademik, 2012) në Universitetin Publik të Prishtinës. Rudi ka botuar librat: “Poezi pa frymë” (2010) dhe “Pa frymëzime” (2011). Rudi njihet për analiza shkencore, publicistikë, poezi, analiza politike, kritika arti dhe recensione letrare. Aktualisht është kolumnist i rregullt i shtojcës javore për kulturë në gazetën “Kosova Sot”. Aktiviteti profesional i Rud-Fiqiruesit është i pasqyruar në ditarin e tij në http://www.fiqiruesi.wordpress.com

Avni Rudaku, i njohur si Rud-Fiqiruesi, është analist shkencor në fusion e publicistikës, analizës politike, kritikë së artit, poezisë dhe recensioneve letrare. Aktualisht është kolumnist i rregullt i shtojcës javore për kulturë në gazetën “Kosova Sot”. Aktiviteti profesional i Rud-Fiqiruesit është i pasqyruar në ditarin e tij dhe në kontributin e tij profesional tek THEFrontliner.net Rudi, ka botuar librat: “Poezi pa frymë” (2010) dhe “Pa frymëzime” (2011).

është krim të largohesh nga polemika. ...

Ndërlidhje e artikujve të ngjashëm. ...