
»Pra, klasifikimi i Gashit kundrejt kritikëve të Delawies si ekstremistë të majtë dhe religjiozë çalon nga një mori inkoherencash, por edhe sikur kritikët e Delawies dhe ambasadorëve tjerë të jenë ekstremistë të majtë dhe fanatikë religjiozë, këta persona kanë të drejtë të ushtrojnë lirinë e tyre të shprehjes dhe të mos i japin Gashit llogarinë e gjithë botës« Shkodran Ramadani
Klasifikimi i Qëndrim Gashit kundrejt kritikëve të Delawies si ekstremistë të majtë dhe religjiozë çalon nga një mori inkoherencash, por edhe sikur kritikët e Delawies dhe ambasadorëve tjerë të jenë ekstremistë të majtë dhe fanatikë religjiozë, këta persona kanë të drejtë të ushtrojnë lirinë e tyre të shprehjes dhe të mos i japin Gashit llogarinë e gjithë botës.
Charles Taylor flet për idealet e shtetit modern dhe projektit të iluminizmit. Ai thotë se që të kapim më mirë atë se çfarë në të vërtet synon sekularizmi, është mirë që të elaborojmë trinitetin e Revolucionit Francez: Liri, Barazi, Vëllazëri. Kjo për shkak që Revolucioni Francez markon momentin e lindjes së shtetit modern sekular dhe triniteti në fjalë është një afish që është vendosur në derën e një epoke të re, fillimisht për perëndimin, pastaj për tërë botën.
Një tjetër gjë e rëndësishme e cila meriton të përmendet dhe që ka të bëjë me klasifikimin që ambasadori (në pritje) i Kosovës në Francë u bëri kritikëve të sjelljes së ambasadorit amerikan është mu lista e kritereve që Gashi ndjek kur ai i shpallë si ekstremistë të majtë dhe fanatikë religjiozë. Gashi dhe bashkëmendimtarët e tij duhet ta dinë se kritika kundër ndërhyrjeve të tilla të ambasadorëve mund të artikulohet edhe brenda matricës liberale, më konkretisht brenda idesë së autonomisë, sovranitetit dhe pavarësisë së shtetit liberal, ide e cila është e mbrojtur nga konventa të ndryshme ndërkombëtare.
Këto konventa dhe në veçanti ajo e Vienës përcakton liritë dhe kufizimet në të cilat shtrihet misioni diplomatik i një ambasadori në një shtet të caktuar. Ky fakt e zbehë nevojën për të kaluar domosdoshmërisht në regjistrin marksist apo religjioz në mënyrë që të kritikojmë sjelljen e një ambasadori. Ambasadorët janë të obliguar të respektojnë në tërësi sovranitetin e shtetit ku ata ushtrojnë misionin e tyre diplomatik.
Pra, klasifikimi i Gashit kundrejt kritikëve të Delawies si ekstremistë të majtë dhe religjiozë çalon nga një mori inkoherencash, por edhe sikur kritikët e Delawies dhe ambasadorëve tjerë të jenë ekstremistë të majtë dhe fanatikë religjiozë, këta persona kanë të drejtë të ushtrojnë lirinë e tyre të shprehjes dhe të mos i japin Gashit llogarinë e gjithë botës. Charles Taylor flet për idealet e shtetit modern dhe projektit të iluminizmit. Ai thotë se që të kapim më mirë atë se çfarë në të vërtet synon sekularizmi, është mirë që të elaborojmë trinitetin e Revolucionit Francez: Liri, Barazi, Vëllazëri. Kjo për shkak që Revolucioni Francez markon momentin e lindjes së shtetit modern sekular dhe triniteti në fjalë është një afish që është vendosur në derën e një epoke të re, fillimisht për perëndimin, pastaj për tërë botën.
- E para, Liria, garanton që askush nuk mund të detyrohet të bëhet pjesë e ndonjë besimi fetar apo afetar, që do të thotë se garantohet edhe e drejta për të mos besuar, pra për të qenë ateist, agnostik dhe të tjera varietete jofetare. Kjo është ajo që në Amandamentin e Parë të Kushtetutës Amerikane përshkruhet si “ushtrim i lirë i religjionit”.
- Së dyti, Barazia thotë se duhet të ketë barazi mes njerëzve me besime të ndryshme; asnjë pikëpamje religjioze apo joreligjioze nuk mund të gëzojë një status të priveligjuar, aq më pak të adaptohet si botëkuptim zyrtar i shtetit.
- E treta, të gjitha familjet spirituale duhet të dëgjohen, të përfshihen në procesin e vendosjes rreth asaj se cili duhet të jetë statusi i shoqërisë dhe identiteti politik i saj dhe se si do të realizohen këto synime. Ky dimension korrespondon me Vëllazërinë.
Mirëpo, tek gjuha e Gashit vërehet një ngjashmëri me atë të ish-ambasadorit izraelit në OKB, Abba Ebanit, që së pari a) i shpallë si të majtë të gjithë kritikët e Izraelit/SHBA-ve; së dyti b) si anti-semitë/anti-amerikanë të gjithë kritikët e politikave të Izraelit/SHBA-ve; dhe së treti c) hebrenjtë/shqiptarët që kritikojnë politikat e Izraelit/SHBA-ve kanë mungesë patriotizmi. Ky përjashtim arbitrar që u bëhet atyre që mendojnë ndryshe është në tension me idealet e modernitetit, liberalizmit dhe sekularizmit.
Ekziston edhe një tjetër problem jo i vogël me njësimin që i bëhet kritikës kundrejt një politike të caktuar të shtetit amerikan – në këtë rast të sjelljes së një ambasadori në shtetin tonë – me logjikën e anti-amerikanizmit. Nëse çdo kritikë kundrejt politikave të shtetit amerikan është anti-amerikanizëm, atëherë anti-amerikanizmi shterret nga çdo kuptim. Kur ai është i pranishëm kudo, ai nuk është i pranishëm askund. Në bazë të kësaj logjike, nëse heqim dorë nga anti-amerikanizmi, ne heqim dorë edhe nga kritika kundrejt politikave të shtetit amerikan. Pra të dy kategoritë shndërrohen në dy fjalë të ndërshkëmbyeshme, gjë që është e pamundur, sepse kritika është diçka tjetër, e urrejtja diçka tjetër.
Nëse një fjalë mbulon çdo cep të sferës publike, ajo e humbet kuptimin dhe përfundon në një tingull të zbrazët. Që një term të ketë kuptim, duhet të tregohet çka është dhe çka nuk është. Në rastin e shkrirjes së dallimeve mes kritikës ndaj politikave të SHBA-ve dhe anti-amerikanizmit humbet baza përmes të cilës ne mund të dëshmojmë se cila kritikë nuk është anti-amerikanizëm. Kështu, kritika ndaj politikave të caktuara të SHBA-ve dhe anti-amerikanizmi përfundojnë në një skemë tautologjike boshe të mbështjellur me një lëvozhgë që përpiqet të sigurojë imunitet përballë kriticizmit.
Nuk kemi iluzione, të gjithë e dimë se ajo që bëjnë ambasadorët në Kosovë nuk ka shans të replikohet nga Qëndrim Gashi dhe Vlora Çitaku në Francë dhe SHBA, por çfarë ne do të duhej të pranonim është gjithashtu se kjo pabarazi është në tension me natyrën e miqësisë dhe se këto janë më tepër karakteristika të një raporti jo edhe aq miqësor. Vetëvendosje vazhdimisht na ka rikukujtuar definicionin për aleancën, e cila është vetëm ushtarake dhe partneritetin i cili është vetëm ekonomik dhe në bazë të këtyre definicioneve, Kosova nuk duket se ka relacione të tilla me ndonjë nga shtetet e mëdha dhe kjo është krejt e kuptueshme sepse Kosovës, për një arsye apo tjetër, i mungojnë kapacitetet ushtarake dhe ekonomike. Për një elaborim më të gjerë dhe më konciz të përkufizimit të aleancës në regjistrin diplomatik, lexoni “Interesi në marrëdhëniet ndërkombëtare: rasti i Kosovës” nga Besnik Pula, ku autori vjen në përfundim se aleanca mes Kosovës dhe SHBA-ve nuk është në fakt aleancë, por aspiratë për aleancë.
Duke pasur parasysh mjedisin në të cilin Kosova e gjen veten, është e vështirë të paramendohet se mund të ketë politikanë që nxjerrin në pah këtë relacion dhe mund të pritet që edhe një afat të gjatë dhe të pacaktuar marrëdhënia që kemi tani të quhet miqësi, e madje edhe aleancë. Madje edhe Vetëvendosje (Albin Kurti dhe Dardan Molliqaj) tani ka filluar që relacionin me SHBA-të ta quajë aleancë, duke lakuar kështu qëndrimin e tyre të mëhershëm. Në komunikatën e VV-së me rastin e vizitës së sekretarit amerikan të shtetit John Kerry në Kosovë, marrëdhënia mes Kosovës dhe SHBA-ve përkufizohet si aleancë, por në të njëjtën kohë VV-ja refuzon të deklarohet në raport me qëndrimin e SHBA-ve karshi Kosovës, por zgjodhi të komentojë vetëm qëndrimin e palës kosovare.
Kjo është e kuptueshme për mjedisin tonë politik sepse edhe VV, sikur Qeveria e Kosovës, operon brenda kapaciteteve shtetërore të vobekta të Kosovës. Por, çfarë është me rëndësi të theksohet, është edhe fakti se VV, AAK dhe Nisma po guxojnë të sfidojnë kornizat të cilat po bëhet përpjekje që të vendosen nga jashtë nëpërmjet institucioneve sheterore të Kosovës. Pra, duhet të kihet parasysh se opozita me në krye VV-në është duke dalur përtej logjikës së pranimit të parezervë të propozimeve që vijnë nga SHBA-të dhe vendet tjera. Pra është një përpjekje për të ngushtuar hendekun që është krijuar nga mungesa e reciprocitetit. Është një përpjekje për të kaluar nga logjika e borxhliut të përjetshëm tek politikani utilitar.
Qëndrim Gashi dhe bashkëmendimtarët e tij, me të drejtë, na paralajmërojnë për pasojat që mund të sjellë kritika ndaj ndërhyrjeve në çështjet e brendshme nga ana e ambasadorëve të huaj në Kosovë, por shpërfillin në tërësi pasojat e të cilat derivojnë nga ndërhyrje të tilla. Pra, diskursi i tij është i koncentruar në pasojat që mund t’i sjellë prishja e raporteve me SHBA-të dhe shtetet tjera, e në të njëjtën kohë heshtë dhe skajon kalkulimet për pasojat e brendshme që mund të vijnë në rast të ndërhyrjeve nga jashtë.
Kriza aktuale politike në Kosovë është vazhdimësi e krizës që u krijua pas zgjedhjeve nacionale të vitit 2014, kur partitë LDK, VV, AAK dhe NISMA vendosën të mos bëjnë koalicion me PDK-në e cila fitoi zgjedhjet. Kjo solli më pas krijimin e VLAN-it, që sado i brishtë dhe heterogjen që ishte, reflektonte qëndrimin e pjesës më të madhe elektorale në Kosovë. Çka pasoi më pas ishte një bllokadë institucionale e cila më pas u ndërpre pas ndërhyrjes së ambasadorëve të huaj në Kosovë. Edhe pse në ligjërimin e përditshëm LDK-ja thotë se e braktisi VLAN-in për shkak që Gjykata Kushtetuese e shpalli si antikushtetuese zgjedhjen e Isa Mustafës si Kryetar Kuvendi, prishja e VLAN-it erdhi në masë të madhe edhe nga presioni ndërkombëtar dhe ky është njëfarë sekreti publik.
Kjo ndërhyrje cezariane në rastin e VLAN-it është një ndërhyrje që theu një vullnet qytetar, edhe pse ishte pas-zgjedhor. Ky imponim nga jashtë mbi një disponim të brendshëm shkaktoi një frakturë e cila e cila u ndoq nga një seri frakturash tjera në skenën politike në Kosovë. Kjo çarje e krijuar nga ky intervenim polarizoi spektrin politik dhe krijoi dy blloqe partiake të cilat që nga ajo ditë e tutje nuk gjetën kurrë gjuhë të përbashkët. Ky realitet i ri prodhoi një depresion të paparë nga paslufta dhe në ato rrethana Kosovën e lanë afër 100 mijë qytetarë. Kriza aktuale dhe kjo revoltë që përfshinë jo vetëm opozitën, por edhe një pjesë jo të vogël të qytetarëve, duhet të shikohen si pjesë të këtij konteksti ku dominon një dëshpërim i madh politik. Papunësia, varfëria dhe mungesa e perspektivës vetëm se e thellojnë dëshpërimin. Prandaj edhe protestat më të mëdha nga paslufta.
Ndërhyrja në fjalë gjithashtu devalvoi në tërësi edhe legjitimitetin e Kuvendit të Kosovës. Një sondazh i Riinvestit i bërë në dhjetor të vitit të kaluar tregon se vetëm 20% e qytetarëve të Kosovës i besojnë Qeverisë së Kosovës dhe kjo shifër është në shpërputhje të thellë me përqindjen e deputetëve, afër 70%, që mbajnë në jetë Qeverinë e Kosovës. Kjo mungesë legjitimiteti është e lidhur edhe me faktin se faktorë të fuqishëm në kombinatorikat e koalicioneve potenciale janë pikërisht ambasadorët e huaj dhe se kjo e zbrazë votën nga fuqia e saj politike, e dobëson interesimin për të votuar dhe për të marrë pjesë në proceset politike. Me një fjalë, ndërhyrjet e vazhdueshme nga jashtë kanë pasoja depolitizuese të qytetarëve të Kosovës. Në një mjedis politik ku llogaria e politikanëve të Kosovës përfundon në zyret e ambasadave, qytetari ndihet i parëndësishëm, i pafuqishëm dhe i mungon besimi se është në gjendje të bëhet faktor.
Siç edhe po shihet, në Kosovë tani ekziston një hendek i madh mes institucioneve të Kosovës dhe qytetarëve të Kosovës. Kjo krizë legjitimiteti ka prodhuar këtë vakum politik në të cilin ushqehet kriza dhe zgjedhjet nacionale duken afër në horizont. Vetëm zgjedhjet e reja mund të ndërtojnë ura në të cilat do të mund të qarkullojë përfaqësimi institucional dhe legjitimiteti politik. Nuk do të ishte ekzagjerim sikur të thonim se zgjedhjet e reja, përveç se do të ripërtërijnë legjitimitetin politik, janë edhe një lloj referendumi për çështjen e asociacionit të komunave serbe dhe çështjes së demarkacionit të kufirit me Malin e Zi.
Një nga atutë kryesore të opozitës në përpjekjet e tyre për të penguar implantimin e asociacionit të komunave me shumicë serbe dhe demarkacionit të kufirit me Malin e Zi ka qenë fakti se partnerët e koalicionit qeverisës nuk i kanë marrë votat e qytetarëve duke premtuar se do t’i realizojnë këto dy projekte, por përmes premtimeve për 120 mijë, përkatësisht 200 mijë vende pune. Pra edhe këtu ngritet çështja e mungesës së legjitimitetit. Edhe një herë më shumë, mbajtja e zgjedhjeve është çelës që mund të përdoret për të zhbllokuar ngërçin.
Siç e thamë edhe më lart, këto zgjedhje janë një lloj referendumi në të cilin qytetari tek kutia e votimit del me dijeninë se PDK dhe LDK përkrahin Asociacionin dhe Demarkacionin, kurse VV, AAK dhe NISMA janë kundër këtyre marrëveshjeve. Po votoi qytetari për dy partitë e para, ai jep dritën jeshile për të çuar përpara çështjet në fjalë. Po votoi për partitë e dyta, ai është kundër këtyre çështjeve. Palët garuese duhet ta pranojnë më pas rezultatin zgjedhor nëse konstatohet se procesi ka shkuar në rregull dhe se nuk ka pasur vjedhje votash. Më pas, duhet të “lutemi” që të mos ketë ndërhyrje nga jashtë që e rrënon një realitet të ri institucional e politik.
Për ta përfunduar, duhet ta kemi të qartë se në Kosovë proamerikanizmi është shumë i fuqishëm dhe Kosova me gjasë është vendi më proamerikan në botë. E reja në këtë mjedis gjithashtu të ri është krijimi i një shtegu përmes të cilit mund të kritikojmë racionalisht raportin mes Kosovës dhe shteteve tjera, dhe në veçanti mes Kosovës dhe SHBA-ve. Politika është terren jo stabil që kërkon ndërhyrje të vazhdueshme nga agjentët politikë. Raportet politike mund të kontaminohen nga forcat e errëta të dominimit dhe nënshtrimit, prandaj edhe është e nevojshme një kritikë racionale që mirëmban dhe ruan vitalitetin e politikës. Hendeku me gjasë nuk do të mund të thehet kurrë, por një kontroll racional mbi të është gjithmonë i mirëseardhur.
[©Pi]