BREXIT – pro et contra

Dorën në zemër, BE-ja kurrë s’ka qenë aq e dashur ndër britanikët dhe kurrë këta s’kanë qenë aq entuziastë për Evropën.
BE-ja kurrë s’ka qenë aq e dashur ndër britanikët dhe kurrë këta s’kanë qenë aq entuziastë për Evropën. Britania e Madhe i është bashkuar bukur vonë BE-së, akoma nuk është brenda njësisë monetare unike evropiane dhe nesër, më 23 qershor, do të dalë në referendum për ta materializuar mëdyshjen e vet politike karshi Bashkimit Evropian: në janë pro apo contra BREXIT-it, daljes së Britanisë së Madhe nga Bashkimi Evropian.

Evropës s’po i ndahen krizat. Krizë pas krize. Ish-ministri i jashtëm gjerman, Joshka Fisher, në një opinion theksoi se Evropa në dhjetëvjetëshin e fundit ka përjetuar një krizë ekonomike, një krizë greke, një krizë ukrainase, një krizë refugjatësh dhe së fundi një “krizë britanike”…

Fitim Salihu

Fitim Salihu

Dorën në zemër, BE-ja kurrë s’ka qenë aq e dashur ndër britanikët dhe kurrë këta s’kanë qenë aq entuziastë për Evropën. Britania e Madhe i është bashkuar bukur vonë BE-së, akoma nuk është brenda njësisë monetare unike evropiane dhe nesër, më 23 qershor, do të dalë në referendum për ta materializuar mëdyshjen e vet politike karshi Bashkimit Evropian: në janë pro apo contra BREXIT-it, daljes së Britanisë së Madhe nga Bashkimi Evropian.

Debati nëse Britania e Madhe duhet të jeta brenda apo jashtë BE-së në fakt ka ekzistuar qysh prej viteve ’60 dhe ’70 me dilemat e mëdha nëse ia vlen që Britania të ngelë jashtë BE-së – asokohe tregu me rritjen më të shpejtë në botë. Poashtu, si dilemë e kohës ishte edhe politika e jashtme. Moshyrja në BE nënkuptonte edhe ngeljen jashtë vorbullës së dinamikës gjeopolitike, me ShBA-në që për partner të konfirmuar e kishin bërë tashmë BE-në.

Ironikisht, sot debati për (mos)dalje po ndodhë për të kundërtat arsye. Derisa dyzet vjet më parë mëdyshej nëse duhej hyrë në BE për shkak të zhvillimit ekonomik të saj, sot po debatohet nëse duhet dalur prej BE-së për shkak të venitjes së saj ekonomike. Në të vërtetë, përjashto Britaninë dhe Gjermaninë, gjithë vendet e tjera anëtare po përballen me sfidën e stagnacionit dhe recesionit ekonomik. Vetë kriza globale e 2008-s, paçka që fill zuri në ShBA, në Evropë ka qenë gjer më sot më së ngadalshmi e rikuperueshme.

Sidoqoftë, në mes prapakthimit në kohën e shteteve-komb dhe qëndrimit në një bashkim kombesh, sado që mund të kemi pikëpyetje ideologjike rreth strukturimit të tij, për britanikët, në terma politikë, është prore me voli qëndrimi brenda BE-së. Për më tepër, vota e britanikëve kundër qëndrimit në BE do të nënkuptonte de facto rinjohje të të drejtës së referendumit të skocezëve pë pavarësi, pasi që Skocia njihet si bastion i fuqishëm i elektoratit pro-BE dhe kjo do t’i jepte shkarki të mirë secesionistëve skocezë për t’u ndarë nga Britania e Madhe.

Por, në sferën ekonomike, cilat janë përparësitë e vazhdimësisë së kohabitacionit politik përbrenda BE-së dhe si e mbrojnë këtë pozicion kundërshtarët e BREXIT-it?

Mbi 3 milionë vende pune në Britani – një në dhjetë vende pune në këtë vend – janë të ndërlidhura nga tregtia me BE-në.  Nëse Britania e Madhe vazhdon të jetë në BE, gjer më 2030 mendohet se do t’i shtojë afër 800,000 vende të reja pune. Nëse sot Britania e Madhe largohet nga BE-ja do t’i humbas rreth 950,000 vende pune. Poashtu, sindikatat britanike paralajmërojnë se nëse Britania e Madhe e lë BE-në rrezikohet që punëtorit britanik paga mesatare t’i ulet në 38 funta në javë. Britania e Madhe paguan 5.7 miliardë funta në vit për të qenë anëtare e Tregut të Përbashkët të BE-së, më të madhit në botë, por nga kjo në këmbim përfiton 91 miliardë funta. Sipas Zyrës së Statistikave, ekonomika britanike çdo ditë përfiton 66 milionë funta prej investimeve nga vendet e BE-së.

Përpos termave ekonomikë, edhe në terma realpolitik Britania e Madhe ka marrë sinjale nga liderët më të fuqishëm botëror për të qëndruar në BE. Pos që qëndrimin e mëtutjeshëm e përkrahin edhe Partia Konservatore dhe laburistët e Korbinit në opozitë, edhe Obama, Merkeli, Hillari dhe Bill Klinton, Çi Gjinpingu, Xhastin Trudoja, Sarkozija, Mateo Renci, Shinzo Abe, etj. janë deklaruar hapur kundër largimit të Britanisë nga BE-ja. Vetëm Mari Lë Peni dhe Donalld Tramp janë deklaruar pro BREXIT-it.

Anaprapthi, votuesi pro BREXIT nuk voton nisur nga prerogativa racionale e as nga interesa ekonomike. Elektorati pro largimit nga sa po duket e bën këtë i ndikuar nga diskursi i sovranitetit dhe krenarisë neoimperiale apo nga zhumhuri akoma më reaksionar që tek shkëputja nga BE-ja sheh edhe shkëputjen nga emigrantët.

Prapësëprapë, përkrahësit e largimit fillimisht u mbështetën në dy pika ekonomike: kundërshtimi i qytetarëve britanikë ndaj rrjetit të transferit fiskal drejt BE-së, e që aktualisht e kap shifrën e 0,4% të PPB-së britanike dhe gjendja e rënduar ekonomike e pjesës kontinentale të BE-së, e cila ngec mbrapa Britanisë së Madhe në rrafshin e rritjes së PPB-së apo në atë të papunësisë. Por, siç e dëshmoi javë më parë një profesor nga Qendra për Performancë Ekonomike e Shkollës së Ekonomisë së Londrës (LSE), elaborimi ekonomik nga propaganduesit pro-BREXIT ka qenë i mangët dhe jo i saktë. Shumica e studimeve serioze të realizuara së fundi dëshmojnë se largimi i Britanisë së Madhe nga BE-ja do të ishte ekonomikisht i dëmshëm për vendin ishullor.

Po e rrëgjuam punën, edhe nëse referendumi nesër vendos për ta vazhduar tëhu qëndrimin e Britanisë së Madhe brenda BE-së – gjë që unë shpresoj të ndodhë – BE-ja duhet të rishqyrtojë shumë mekanizma e ingranazhe të brendshëm të funksionimit të saj, sepse në shtetet anëtare të saj kemi të bëjmë me trende centrifugale kërkesash në rrite politike për ndryshime dhe reformë të brendshme, gjë që në disa raste e në disa shtete kjo po shpie në ekstreme të rrezikshme fitoresh ultra-djathtiste.

©PI

Fitim Salihu, është përkthyes artikujsh, kapitujsh e librash shqip-anglisht dhe anglisht-shqip. Ai është studiues i spikatur i marrëdhënieve ndërkombëtare, neokolonializmit dhe filozofisë së historisë. Fitimi, shkruan editoriale dhe analiza politike. Ai një kohë të gjatë udhëhoqi organizatën studentore aktiviste "Klubi Politik i Studentëve" dhe vazhdimisht merret me qytetari aktive. Gjatë vitit 2015, ai punoi si redaktor për kulturë në të përditshmen Zëri.info në Prishtinë. Pos gjuhës amtare, flet rrjedhshëm edhe anglishten dhe mjaftueshëm spanjishten e turqishten.

është krim të largohesh nga polemika. ...

Ndërlidhje e artikujve të ngjashëm. ...

  • Ndërmjet dy patetizmash

    Për një dhjetëvjeçar futbolli kosovar u luajt me shumë ndodhi ekzotike, por që asokohe ishin realitet i hidhur. Qese najloni që shërbenin si flamuj të gjyqtarëve anësorë, përroska fshati...
  • Kosovo: Spring of the great loneliness

    Despite early hopes that the entire spring will be a season of demonstrations against the government and the newly elected president, Hashim Thaçi. But when no one expected it,...
  • Mos iu prekni dashurinë! (II)

    Është letërsi, ama letërsi e bazuar në realitet. Kësisoj indoktrinohej me fashizëm dekada më parë rinia italiane prej regjimit të Musolinit. Ëndrra për t’i kthyer tokat e Perandorisë Romake...
  • Mos iu prekni dashurinë!

    Por, cili ishte sekreti i bijës së tij, Rejçëllit të vogël? Fajin për varfërinë dhe stagnimin ekonomik ia lënë zezakëve dhe çifutëve. Përgatisin të rinjtë për t’i luftuar “zgjebanikët”...