Kredencialet që ndonjëhere nuk kanë kuptim

Epo, unë refuzoj t'i nënshtrohem mendësisë së një njeriu që përpiqet të paraqitet superior siç ishte rasti me @AbitHoxha'n dhe me zt. Kelmendi kjo është madje edhe jo...

Të premten mbrëma, 25 shkurt 2022, u zhvillua një diskutim në hapësirën e cicëronit [Twitter]: https://twitter.com/i/spaces/1BdxYwdQOYXGX… në gjuhën shqipe për cilësinë e raportimit të lajmeve në Kosovë.

U habita se si @AbitHoxha, një person që jep mësim dhe hulumton gazetarinë, dukej se sikur synonte të shmangte nga përgjegjësia një cilësi të keqe të raportimit të lajmeve në Kosovë. Ndërkohë, unë mund të pajtohem me disa nga pikat e tij, por sigurisht që nuk mund ta pranoj synimin e tij për të lejuar e pranuar cilësinë e keqe të t’raportuarit në Kosovë, mbi arsyetimin krahasimor për gazetari të keqe në Serbi.

»Ju duke dështuar që të ofroni një mendim korrekt u përpoqët që t’i shtoni vlerë mendimeve tuaja duke përdorur kredenciale. « Vedat Xhymshiti

Ky për mua është një argument i papranueshëm që synon të krijoj hapësirë manovruese dhe në fakt, fatkeqësisht, të inkurajojë cilësinë e keqe të gazetarisë në vendin tonë.

Më tej, @AbitHoxha sugjeron një tjetër krahasim thellësisht shqetësues se “…gazetarët punojnë në kushte jashtëzakonisht të vështira” – duke mos e adresuar se përgjegjësi e kujt është fakti që gazetarët punojnë në kushte të vështira. 

Pastaj, në mes të këtyre momenteve të diskutimeve, një folës e moderator i njohur shqiptar i Kosovës, që njihet kryesisht për emisione televizive zbret në debat duke thënë se është vetëm duke e vëzhguar këtë diskutim, por në fakt ai nuk e la me aq, ai filloi të na sygjeronte se çfarëdo që tha zoti Hoxha është e vërtetë dhe disi një mendim i drejtë, thuaja absolut. Zotëriu ishte Adriatik Kelmendi [@adriatikk] sipas të cilit @AbitHoxha duhet të ketë të drejtë sepse ai është një studiues që ” merret me media. ..” siç u shpreh zt Kelmendi, duke shtuar se “… unë e njoh Abitin.” Mbase, zt Kelmendi edhe ka të drejtë kur thotë se e njeh Abitin, mirëpo duket se ai harron që ka një ndryshim të madh midis të qenit një person që “merret me median,” nga ai që punon në praktikë si personel i medias. Sepse, nëse ai studiues në njëfarë mënyre tingëllon si arsyetues i cilësisë së keqe në gazetari, atëherë nuk më vjen keq të shkruaj se është një abuzim me atë pozitë prej studiuesi. 

Sinqerisht dua të them se reagimi i zt. Kelmendit, është pasqyrë e qartë e kulturës dhe mentalitetit klanor. Z. Kelmendi është një nga ata CEO-të në Kosovë që fiton ndoshta të paktën €60,000.00 – në vit në një vend si Kosova, me rrogë mesatare mujore prej 250-450 € për një gazetar. Ndoshta edhe e kuptoj motivimin e z. Kelmendit pse ai u përpoq të patronizonte audiencën mbrëmë në një përpjekje për të argumentuar se Abiti kishte të drejtë, pa u lodhur të thoshte pse, por i vetmi argument i tij e i pikëlluar si i tillë, ishte se “Abiti merret me media”. Ndoshta sepse Abiti nuk lodhet të kontestoj CEO-të si zt Kelmendi, të cilët mbase edhe janë një prej përgjegjësve pse gazetarët punojnë në kushte të vështira. 

Unë jam i mendimit se arsyeja pse kushtet punës së gazetarëve janë jo të mira në Kosovë, ka të bëjë me kontrollin dhe pushtetin që pronarët dhe CEO-të e mediave duan të ushtrojnë mbi integritetin e gazetarëve dhe rrjedhimisht ata në këtë mënyrë edhe e shkaktojnë një cilësi të tillë aq pikëlluese të të raportuarit në Kosovë. Kjo, është tragjike.

Duket se në këtë diskutim mendimet  dhe pagat e dikujt ishin të kërcënuara, prandaj dikush ndjeu nevojën dhe domosdoshmërinë që të përpiqej të mbulohej me shfaqjen e kredencialeve dhe aq më tepër duke pasur një rezervë njerëzish siç ishte ndërhyrja e zt. Kelmendit duke u përpjekur të vërtetonte mendimet e një studiuesi, por në mënyrë superiore pa u lodhur të thurr një argument mendues e i cili mbase do të kishte një shpjegim logjik. Dhe meqë tjetri na qenka studiues, e po na punoka me institucione të thirrura, nuk paska lidhje a kanë relevancë shpjeguese dhe logjike mendimet tij apo jo, edhe i paska dek nana kësaj pune. Po, ju lutem. Se kashtë nuk hajmë ne këtu.

Epo, unë refuzoj t’i nënshtrohem mendësisë së një njeriu që përpiqet të paraqitet superior siç ishte rasti me Abit Hoxhën dhe me zt. Adriatik Kelmendin kjo është madje edhe jo etike. Prandaj, po reagoj nëpërmjet këtij shkrimi sepse është jetësisht e rëndësishme të ekspozohet kjo mendësi e përpjekje e cekët. 

Ne të gjithë jemi të vetëdijshëm se çfarë ndikimi shoqëror mund të ketë tjetri, në kuptimin e mendësisë kolektive kur t’i shfletosh disa kredenciale me emra të huaj e të panjohur për publikun tonë. Por, duket se këta harrojnë që ka njerëz gjithashtu me kredenciale që janë të gatshëm t’i sfidojnë këto gabime e këto mendësi. 

Me apo pa dashje, një sjellje e tillë prej superiori, është e papranueshme, mjerane dhe si e tillë e cekët. 

Njerëzisht po ju shkruaj që thjeshtë pa pasur nevojë t’i veni në pah kredencialet duhet të jeni në gjendje të jepni një mendim që ka kuptim dhe logjikë të interesit të përgjithshëm, e jo të luani politikë me mendime duke përdorur kredencialet kur tjetri ju sfidon. Aman, ju lutem aman. Nuk është viti 1990 që kredencialet të jenë interesante edhe pse janë të rëndësishme në raste përkatëse. 

Kredencialet janë të rëndësishme atëhere kur ju aplikoni për një vend pune për t’u verifikuar nëse jeni jeni të kualifikuar për detyrat që pritet të ju besohen në atë pozitë. Por jo në një diskutim të hapur e të lirë publik përveq nëse dikush ju pyet. Për më tepër, askush ju pyeti për kredenciale. 

Unë nuk kam problem me kredencialet tuaja, unë kam problem që mendimet tuaja nuk janë në vijë logjike me kredencialet tuaja, ose të paktën kjo është përshtypja ime. Dhe nëse jepni mendime që janë në kundërthënie me kredencialet tuaja, ju lutem, shpjegojeni se cilat janë motivet tuaja të asaj mendësie që po përpiqeni të arysetoni cilësinë e keqe të gazetarisë në vend. Mos u perpjekni t’i mbuloni motivet me kredenciale. Tash madje po hezitoj të ju quaj edhe të paditur, sepse na folët edhe për kredenciale, por ju ose jeni të paditur, ose të korruptuar, ose kredencialet tuaja janë të dyshimta. Sepse nuk mund të jeni studiues i gazetarisë e të arsyetoni të leni përshtypje se cilësia e keqe e gazetarisë është disi ok.

Dhe, meqë jemi tek kredencialet, kjo është arsyeja pse kur marr pjesë në diskutime publike, përpiqem të thurr një mendim cilësor e logjik në raport me atë se çfarë po diskutohet me aq sa unë kam njohuri, dhe nuk merrem me kredencialet e mia, sepse jo që është mendësi e dobët për “t’u fryrë gjoja kush qenkam unë,” por është edhe papërgjegjësi sepse mundem edhe të gabohem kur kam kohë të shkurtër të thurr një mendim dhe nëse e shtoj edhe peshën e kredencialeve të mia në mendimet e thurrura gabimisht, atëhere mund t’i detyroj njerëzit të pranojnë mendimet e mia të gabuara si të vërteta. Sa për shënim, ja se po i shfaq edhe unë kredencialet e mia. 

E kam nisur karrierën time me shtypin perëndimor, të cilët në periudha të ndryshme më kanë besuar detyra e përgjegjësi në varësi të axhendës së tyre editoriale. Edhe këto media kanë axhendë të politikave editoriale që ata i hartojnë, mirëpo ajo politikë editoriale ka të bëjë me interesin e publikut kur bëhet fjalë për politikë të brendshme. E kur bëhet fjalë për interesin e politikës së jashtme të vendit, këto media kanë politikë editoriale të jashtme në saje të interesit të vendit prej të cilit vijnë. Ne mund edhe të mos pajtohemi me atë, mirëpo cilëndo punë që ata e bëjnë, e bëjnë pa shpifje, me cilësi. 

Unë jam nga ata që nuk merrem me gazetari, nuk e studioj, por punoj me kokë të ngritur, sy çelë e me këmbë në tokë si reporter dhe herë-herë si gazetar dhe fotoreporter. Sa për shënim, këto janë kategori profesionale me përgjegjësi krejtësisht të ndryshme. E një studiues mbrëmë e quajti gazetar, një njeri që në fakt kishte rolin e kameramanit derisa ishte duke kryer punën e tij. Jo. Ai nuk ishte gazetar. Ai ishte një kameraman ose operator kamerash siç ligjikshëm identifikohet secili punonjës në media në varësi të përgjegjësisë së tyre për të cilat ata janë të kontraktuar t’i kryejnë.

Por, më lejoni të vazhdoj t’ju “patronizoj” në mënyrë që “t’ju bëj të besoni se çfarëdo që të shkruaj, duhet ta merrni si të vërtetë të pakontestuar,” siç u la të kuptohet mbrëmë nga reagimi “vëzhgues” i Zt. Kelmendit.

Pra, duke qenë anëtar i mediave të shkruara, elektronike dhe atyre pamore në perëndim, që nga viti 2007 unë më është dashur të përzgjedh temën në përputhje me udhëzimet editoriale dhe politikën e organizatës së lajmeve për të cilën po punoja, më duhej ta analizoja, ta hulumtoja temën mbrapa tavolinës së punës, të vendosja objektivat dhe të lëvizja për në terren për t’i pyetur njerëzit dhe zyrtarët që kishin të bënin me atë temë, me synimin për të verifikuar të vërtetën e përafërt jo vetëm në saje të asaj që ne mbrapa tavolinës së lajmeve mendonim se mund të ishte përgjigja, por duhej të ishim sy çelë edhe për gjetjet e reja në terren. Dhe kur ktheheshim në zyre me lëndën tonë të parë për të prodhuar artikullin, redaktorët tanë dilnin me kërkesa të reja dhe na vihej në dyshim nga kontrolluesit tanë të fakteve edhe vërtetësia e përafërt e fakteve ose dëshmive që i kishim mbledhur, e sfida e sfida të tilla.

Që t’ju patrinizoj edhe më shumë ?? dua t’ju tregoj lexuesve se puna ime është publikuar gjerësisht në media si New York Times, TIME Magazine, The Guardian, The Sunday Times, The Times of London, Der Spiegel, Paris Match, Al Jazeera, BBC World News, BIRN [Balkan Investigative Reporting Network], Associated Press, Agence France Presse, Getty Images etj. Krejt kjo, lehtësisht e verifikueshme.

Por çd’mth kjo? Thjeshtë, kjo ka rëndësi për CV-në time kur t’i paraqitem ndonjë redaksie të re për t’i ofruar shërbimet e mia profesionale. Kjo, në ansjë mënyrë nuk i shton peshë, ose nuk e vërteton mendimin tim nëse ai është i palogjikshëm në raport me temën që po e diskutonim mbrëmë.

Nëse disa që folën mbrëmë mendojnë se ata janë njerëzit absolut të drejtë që e dinë se për çfarë po flasin për shkak të kredencialeve A, B, C dhe D, dhe megjithatë me komentet e tyre synojnë të shtypin idenë se ne duhet të rrisim standardin e cilësinë e raportimit të lajmeve duke e arsyetuar gazetarinë e keqe nën arsyetime të ndryshme sentimentale, ata po bëjnë politikë. Dhe kjo është politikë e keqe. Kjo në fakt është shqetësuese. Kredencialet nuk ju bëjnë juve apo mua një qenie njerëzore moralisht të përgjegjshme. Kredencialet mund të përdoren për të konfirmuar që ju keni kryer detyra të caktuara por kjo nuk dmth se ajo që e thoni është e vërtetë absolute siç u la përshtypja nga qëndrimi i zt Kelmendit mbrëmë dhe nëse i përdorni ato kredenciale për të arsyetuar një cilësi të keqe të gazetarisë ? kjo është skandaloze. 

Ju jeni në anën e gabuar të interesit të publikut. Ju duke dështuar që të ofroni një mendim korrekt u përpoqët që t’i shtoni vlerë mendimeve tuaja duke përdorur kredenciale. 

Një mendësi e tillë, është e rrezikshme dhe aspak intelektuale.

Edhe pse kemi të drejtë të pajtohemi dhe të mos pajtohemi, kur bëhet fjalë për gazetarinë gjërat janë të qarta. Asnjë organizatë lajmesh nuk duhet të lejohet, të pranohet apo arsyetohet të shesë informacione të opinionuara ose interpretuara partiakisht e politikisht si lajm. Asnjë organizatë lajmesh nuk duhet të lejohet të arsyetohet kur ata manipulonjë dhe helmojnë publikun me informacione dhe gënjeshtra mashtruese. Nëse ky është parimi me të cilin pajtoheni, atëherë nuk e kuptoj pse duhet të tregoni kredencialet tuaja përveçse të përpiqeni të patronizoni dëgjuesin dhe të impononi një pikëpamje të gabuar në mendjet e shoqërisë sonë, duke u përpjekur t’i detyroni ata të pranojnë diçka jo cilësore.

Ju guxoj, ju sfidoj fort në këtë çështje. Nuk kam qenë kurrë në një situatë ku cilësia ime e gazetarisë, raportimit apo fotogazetarisë të vihej në dyshim ndonjëherë nga redaktorët dhe kontrolluesit e fakteve me të cilët kam punuar.

Madje ka pas raste ku edhe kam shpenzuar vite në hulumtime dhe nuk ia kam lejuar vetës të shkruaj ndonjë gjë lidhur me atë hulumtim sepse pavarësisht pretendimeve, nuk kam arritur të vihem në kontakt me faktet.

Ju sfidoj vendosmërisht, qe ne duhet të insistojmë në gazetari cilësore dhe pikë.


Shih reagimin e Abit Hoxhës:

Vedat Xhymshiti; është gazetar, redaktor dhe fotograf i pavarur. Ai është fokusuar në çështjet e politikës së brendshme të Kosovës, Politikës së Jashtme të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Federatës Ruse, Bashkimit Evropian dhe Lindjes së Mesme. Xhymshiti është fokusuar edhe në çështjet e politikës së racës, gjinisë, identitetit, migrimit si dhe shpërnguljes së njerëzve për shkak të ndryshimeve klimatike dhe konflikteve të armatosura. Ai është publikuar në media të ndryshme duke përfshirë Der Spiegel, NY Times, TIME, Paris Match, Le Monde etj. Xhymshiti është gjithashtu kritik i medias së shkruar dhe themelues i THE Frontliner.

është krim të largohesh nga polemika. ...

Ndërlidhje e artikujve të ngjashëm. ...