1.1 Hyrje
Misioni i FRONTLINER-it është që të veprojë në interes të publikut, duke i shërbyer të gjithë audiencës përmes ofrimit të produkteve dhe të shërbimeve të paanshme, me cilësi të lartë dhe të dallueshme që të informojnë dhe edukojnë publikun.
Ky udhëzues editorial gjithashtu vendos pavarësinë tonë nga ndikimet qeveritare, garanton lirinë tonë editoriale dhe mbron të drejtën tonë për t’u financuar në mënyrë të pavarur dhe për të vënë tarifën e licencës për audiencën tonë, marrëveshjen unike të financimit që i mundëson redaksisë sonë të ndjekë një mision të dalluar.
Karta profesionale e udhëzimeve editoriale përcakton qëllimet publike të Revistës FRONTLINER.
- Ne jemi këtu për të ofruar lajme dhe informacione të paanshme, për të ndihmuar njerëzit të kuptojnë dhe të angazhohen me botën përreth tyre.
- Për të mbështetur mësimin, edukimin dhe informimin për njerëzit e të gjitha moshave.
- Për të treguar produktin dhe shërbimet më kreative, me cilësi më të lartë dhe më të veçantë.
- Për të reflektuar, përfaqësuar dhe për t’u shërbyer komuniteteve të ndryshme të të gjitha kombeve dhe rajoneve të Ballkanit Perëndimor dhe, duke e bërë këtë, të mbështesë ekonominë krijuese në të gjithë rajonin e Ballkanit Perëndimor.
- Për të pasqyruar kulturën dhe vlerat e vendeve të Ballkanit Perëndimor në botë.
Karta profesionale e udhëzimeve editoriale përcakton që është detyrë e FRONTLINER-it që të vendosë standardet për produktin dhe shërbimet editoriale dhe krijuese të revistës sonë elektronike.
Kjo do të thotë që FRONTLINER-i duhet të publikojë, rishikojë periodikisht dhe të sigurojë respektimin e udhëzimeve të krijuara për të siguruar standardet e duhura editoriale për Shërbimet tona Editoriale në hapësirën e Ballkanit Perëndimor, duke u përqendruar, por pa u kufizuar, në Kosovë, Maqedoni të Veriut, Mal të Zi, Serbi e Shqipëri dhe për të mbrojtur integritetin editorial dhe cilësinë e lartë të Shërbimit lokal, kombëtar e rajonal dhe të ruajë standardet e larta të integritetit dhe të cilësisë editoriale për Monitorimin e FRONTLINER-it.
Prodhimi dhe respektimi i këtyre Udhëzimeve Editoriale përmbush këto kërkesa.
Bërja e përmbajtjes sonë sipas standardeve në to është një detyrim për të gjithë ne, të udhëhequr nga Drejtori i Përgjithshëm, si kryeredaktor i FRONTLINER.
I gjithë prodhimi i bërë në përputhje me këto Udhëzime Editoriale do të përmbushë gjithashtu kërkesat e kodit etik e profesional në përputhje me kodin e etikës profesionale të hartuar nga Unioni Kombëtar i Gazetarëve në Mbretërinë e Bashkuar.
1.2 Vlerat tona editoriale
Audienca jonë ka besim te ne dhe presin që t’u përmbahemi standardeve më të larta editoriale.
Ne kemi të drejtën e lirisë së shprehjes, të përfshirë në Kartë dhe të mbrojtur nga Konventa Europiane e të Drejtave të Njeriut dhe Akti i të Drejtave të Njeriut 1998. Kjo liri është në qendër të pavarësisë së FRONTLINER-it. Audienca jonë ka të drejtë të marrë materiale krijuese, informacione dhe ide pa ndërhyrje. Por audienca jonë gjithashtu pret që ne të balancojmë të drejtën tonë për lirinë e shprehjes me përgjegjësitë tona ndaj audiencës dhe kontribuesve tanë, duke iu nënshtruar kufizimeve në ligj.
Ne operojmë në interes të publikut, duke raportuar histori të rëndësishme për audiencën tonë dhe duke i kërkuar llogari pushtetit.
Në gazetarinë tonë në veçanti, ne kërkojmë të dëshmojmë të vërtetën dhe të përdorim standardet më të larta të raportimit për të ofruar mbulim të drejtë dhe të saktë. Ekspertiza jonë e specializuar ofron gjykim profesional dhe analizë të qartë.
Ne jemi të paanshëm, duke kërkuar të pasqyrojmë pikëpamjet dhe përvojat e audiencës sonë, në mënyrë që produkti ynë në tërësi të përfshijë një gjerësi dhe larmi mendimesh, pa nënpërfaqësuar ose hequr ndonjë imtësi të rëndësishme.
Ne jemi të pavarur nga interesat dhe marrëveshjet e jashtme që mund të rrezikojnë integritetin tonë editorial.
Standardet tona editoriale nuk kërkojnë neutralitet absolut për çdo çështje apo shkëputje nga parimet themelore demokratike.
- Fjala e lirë mundëson shkëmbimin e informacionit dhe të ideve pa ndërhyrjen e shtetit apo të grupeve të interesit financiar e politik.
- Fjala e lirë ndihmon për të inkurajuar debatin publik, duke na trimëruar të jemi kureshtarë, të angazhuar dhe kritikë.
- Fjala e lirë lejon, për shembull, dramaturgët, satiristët dhe humoristët të komentojnë botën përreth nesh.
Megjithatë, liria e shprehjes nuk është një e drejtë absolute. Ajo bart detyra dhe përgjegjësi, duke iu nënshtruar kufizimeve dhe përkufizimeve ligjore.
Në ushtrimin e lirisë së shprehjes, ne duhet të ofrojmë mbrojtjen e duhur për grupet e cenueshme dhe të shmangim ofendimet e pajustifikueshme.
Ne duhet të respektojmë gjithashtu privatësinë e njerëzve. Do të vendoset informacioni privat në domenin publik vetëm nëse interesi publik tejkalon pritshmërinë legjitime të një individi për privatësinë.
Ne kemi një përgjegjësi të veçantë ndaj fëmijëve dhe të rinjve dhe duhet të ruajmë të drejtën e tyre për të folur dhe për t’u dëgjuar. Aty ku ato kontribuojnë ose shfaqen në prodhimin tonë, ne duhet të kujdesemi që të mbrohet dinjiteti dhe mirëqenia e tyre fizike dhe emocionale.
demokracia, vdes në errësirë. …
1.3 Interesi publik
Misioni i FRONTLINER-it specifikon se ne duhet ‘të veprojmë në interes të publikut’. Është në interesin publik të përmbushim misionin tonë që të prodhojmë rezultate informuese dhe edukuese. Nuk ka një përkufizim të vetëm të interesit publik, por ai përfshin lirinë e shprehjes dhe lirinë për t’u informuar drejtë, ofrimin e informacionit që u ndihmon njerëzve të kuptojnë më mirë ose të marrin vendime për çështje me rëndësi publike, parandalimin e mashtrimit të njerëzve nga deklaratat ose veprimet e individëve ose të organizatave.
Interesit publik i shërbehet gjithashtu kur ekspozohet ose zbulohet krimi ose sjellja e konsiderueshme antisociale, korrupsioni, padrejtësia, paaftësia ose moskokëçarja e konsiderueshme.
1.4 Përgjegjësia
Karta jonë e udhëzimeve editoriale përcakton detyrën tonë për të qenë transparent dhe të përgjegjshëm.
Ne duhet të publikojmë një Raport Vjetor dhe Llogari të cilat duhet të përfshijnë informacione se si janë vendosur, rishikuar dhe përmbushur standardet e larta editoriale. Raporti, duhet të përfshijë gjithashtu informacione rreth mënyrës se si u kemi shërbyer kombeve dhe rajoneve të Ballkanit Perëndimor dhe nëse ka pasur ndryshime të rëndësishme në ndonjë nga Shërbimet tona Editoriale.
Ne gjithashtu duhet të raportojmë se si janë trajtuar ankesat dhe çfarë kemi mësuar prej tyre.
1.5 Ankesat [1]
Ne jemi të hapur në pranimin e gabimeve kur ato bëhen dhe duam të mësojmë prej tyre. Na kërkohet të vendosim dhe publikojmë procedurat për trajtimin dhe zgjidhjen e ankesave.
Procedura e Ankesave të FRONTLINER-it [2] përcakton afatet kohore për t’iu përgjigjur ankesave dhe duhet të lidhen si me detyrimet e Shërbimeve tona ashtu edhe me operacionet tona tregtare.
Ankesat për shumicën e përmbajtjeve të FRONTLINER-it [3] trajtohen nga stafi editorial të FRONTLINER-it që është përgjegjës për hetime, siç përcaktohet në Procedurën e Ankesave.
Ankesat trajtohen nga Shërbimet e Audiencës së FRONTLINER-it.
Njësia e Shërbimeve të Audiencës merret me ankesa serioze për shkelje të mundshme të standardeve editoriale të FRONTLINER-it në lidhje me përmbajtjen e rubrikave specifike ose të artikujve. Njësia merret me ankesat për çdo shërbim apo produkt të FRONTLINER-it ku Revista jonë ka përgjegjësi editoriale. Këtu përfshihet çdo shërbim editorial jashtë rubrikës ‘opinione’ ose ‘vështrime’ në nivel kombëtarë, por jo edhe atë ndërkombëtar të FRONTLINER-it.
Vendimet e Njësisë së Shërbimeve të Audiencës i nënshtrohen shqyrtimit nga Drejtori i Përgjithshëm, si kryeredaktor i FRONTLINER-it.
Kur Njësia e Shërbimeve të Audiencës identifikon një shkelje serioze të standardeve editoriale të përcaktuara sipas udhëzimeve, gjetja e saj do të publikohet në faqen e internetit të ankesave të FRONTLINER-it. Në varësi të gjetjeve, Drejtori i Përgjithshëm, si kryeredaktor i FRONTLINER-it mund të kërkojë falje të rregullojë çështjen konkrete.
1.6 Kodi Etik
Revista FRONTLINER i përshtatet Kartës Globale të Etikës për Gazetarët.
Karta Globale e Etikës për Gazetarët e Federatës Ndërkombëtare të Gazetarisë (International Federation of Journalists, apo IFJ-së) u miratua në Kongresin e 30-të Botëror të IFJ-së në Tunis më 12 qershor 2019. Ajo plotëson Deklaratën e Parimeve të IFJ-së mbi sjelljen e gazetarëve (1954), e njohur si “Deklarata e Bordos”.
Karta bazohet në tekste kryesore të së drejtës ndërkombëtare, në veçanti në Deklaratën Universale të të Drejtave të Njeriut. Karta përmban 16 nene dhe një preambulë dhe përcakton detyrat dhe të drejtat e gazetarëve në lidhje me kodin e etikës.
Preambula
E drejta e secilit për të pasur qasje në informacion dhe ide, e përsëritur në nenin 19 të Deklaratës Universale të të Drejtave të Njeriut, mbështet misionin e gazetarit.
Përgjegjësia e gazetarit ndaj publikut ka përparësi ndaj çdo përgjegjësie tjetër, veçanërisht ndaj punëdhënësve dhe autoriteteve publike.
Gazetaria është një profesion që kërkon kohë, burime dhe mjete për t’u ushtruar.
Të gjitha këto janë thelbësore për pavarësinë e saj. Kjo deklaratë ndërkombëtare specifikon udhëzimet e sjelljes për gazetarët në kërkimin, redaktimin, transmetimin, shpërndarjen, komentimin e lajmeve dhe të informacioneve, si dhe në përshkrimin e ngjarjeve në medie.