Preambula
E drejta e secilit për të pasur qasje në informacion dhe ide, e përsëritur në nenin 19 të Deklaratës Universale të të Drejtave të Njeriut, mbështet misionin e gazetarit.
Përgjegjësia e gazetarit ndaj publikut ka përparësi ndaj çdo përgjegjësie tjetër, veçanërisht ndaj punëdhënësve dhe autoriteteve publike.
Gazetaria është një profesion që kërkon kohë, burime dhe mjete për t’u ushtruar – të gjitha këto janë thelbësore për pavarësinë e saj. Kjo deklaratë ndërkombëtare specifikon udhëzimet e sjelljes për gazetarët në kërkimin, redaktimin, transmetimin, shpërndarjen dhe komentimin e lajmeve dhe informacioneve, si dhe në përshkrimin e ngjarjeve, në çdo media.
Karta e jonë e Etikës për Gazetarët
1. Respektimi i fakteve dhe i të drejtës së publikut për të vërtetën është detyra e parë e gazetarit.
2. Në zbatim të kësaj detyre, gazetari do të mbrojë në çdo kohë parimet e lirisë në mbledhjen dhe publikimin e ndershëm të lajmeve, si dhe të drejtën e komentit dhe kritikës së drejtë. Ai/ajo do të sigurohet që të dallojë qartë informacionin faktik nga komenti dhe kritika.
3. Gazetari raporton vetëm në përputhje me faktet të cilat ai/ajo e di prejardhjen. Gazetari nuk duhet të fshehë informacione thelbësore apo të falsifikojë asnjë dokument. Ai/ajo do të jetë i kujdesshëm që të riprodhojë me besnikëri deklarata dhe materiale të tjera që personat jopublik publikojnë në mediat sociale.
4. Gazetari do të përdorë vetëm metoda të drejta për të marrë informacione, imazhe, dokumente dhe të dhëna dhe ai/ajo do të raportojë gjithmonë statusin e tij/saj si gazetar dhe do të përmbahet nga përdorimi i regjistrimeve të fshehura të imazheve dhe tingujve, me përjashtim të rasteve kur është e pamundur që ai/ajo të mbledhë informacione që janë në masë të madhe në interes të publikut. Ai/ajo do të kërkojë qasje të lirë në të gjitha burimet e informacionit dhe të drejtën për të hetuar lirisht të gjitha faktet me interes publik.
5. Nocioni i urgjencës ose i menjëhershëm në shpërndarjen e informacionit nuk do të ketë përparësi ndaj verifikimit të fakteve, burimeve dhe/ose ofertës së një përgjigjeje.
6. Gazetari do të bëjë të pamundurën për të korrigjuar çdo gabim apo informacion të publikuar që rezulton i pasaktë në kohë, në mënyrë eksplicite, të plotë dhe transparente.
7. Gazetari duhet të respektojë sekretin profesional në lidhje me burimin e informacionit të marrë në fshehtësi.
8. Gazetari do të respektojë privatësinë. Ai/ajo do të respektojë dinjitetin e personave të përmendur dhe/ose të përfaqësuar dhe të informojë të intervistuarin nëse biseda dhe materiali tjetër janë të destinuara për publikim. Ai/ajo duhet të tregojë vëmendje të veçantë ndaj të intervistuarve të papërvojë dhe të pambrojtur.
9. Gazetarët duhet të sigurojnë që shpërndarja e informacionit ose opinionit të mos kontribuojë në urrejtje ose paragjykim dhe do të bëjnë të pamundurën për të shmangur lehtësimin e përhapjes së diskriminimit mbi baza të tilla si origjina gjeografike, sociale ose etnike, raca, gjinia, orientimi seksual, gjuha, feja, aftësia e kufizuar, opinionet politike dhe të tjera.
10. Gazetari do të konsiderojë si shkelje serioze profesionale:
- plagjiaturën;
- shtrembërimin e fakteve;
- shpifjet, shpikje, akuzat e pabaza
11. Gazetari duhet të përmbahet nga të vepruarit si ndihmës i policisë apo shërbimeve të tjera të sigurisë. Atij/asaj do t’i kërkohet vetëm të japë informacione të publikuara tashmë në një media.
12. Gazetari do të solidarizohet me kolegët e tij/saj, pa hequr dorë nga liria e investigimit, detyrimi për të informuar dhe e drejta për t’u përfshirë në kritikë, komente, satirë dhe zgjedhje editoriale.
13. Gazetari nuk do të përdorë lirinë e shtypit për t’i shërbyer ndonjë interesi tjetër dhe do të përmbahet nga përfitimi i padrejtë ose përfitimi personal për shkak të shpërndarjes ose mospërhapjes së informacionit. Ai/ajo do të shmangë – ose do t’i japë fund – çdo situate që mund ta çojë në një konflikt interesi gjatë ushtrimit të profesionit të tij/saj. Ai/ajo do të shmangë çdo konfuzion midis veprimtarisë së tij dhe asaj të reklamës apo propagandës. Ai/ajo do të përmbahet nga çdo formë e tregtimit të brendshëm dhe manipulimit të tregut.
14. Gazetari nuk do të ndërmarrë asnjë aktivitet apo angazhim që mund të rrezikojë pavarësinë e tij/saj. Megjithatë, ai/ajo do të respektojë metodat e mbledhjes/shpërndarjes së informacionit që ai/ajo ka pranuar lirisht, si “jashtë regjistrimit”, anonimiteti ose embargoja, me kusht që këto angazhime të jenë të qarta dhe të padiskutueshme.
15. Gazetarët e denjë për emrin do ta konsiderojnë detyrën e tyre të respektojnë me besnikëri parimet e lartpërmendura. Ata nuk mund të detyrohen të kryejnë një veprim profesional ose të shprehin mendim që është në kundërshtim me bindjen ose ndërgjegjen e tyre profesionale.
16. Brenda ligjit të përgjithshëm të çdo vendi, gazetari do të njohë për çështjet e nderit profesional, juridiksionin e organeve të pavarura vetërregulluese të hapura për publikun, duke përjashtuar çdo lloj ndërhyrjeje nga qeveritë apo të tjerët.